Shqipëria U-17 e femrave ka mbyllur me fitore ndaj Maqedonisë së Veriut raundin e dytë të Kampionatit Europian U-17 për femra të zhvilluar në vendin tonë. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, vajzat kuqezi mundën me shifrat 4-2 skuadrën maqedonase, një fitore tërësisht e merituar pas paraqitjes së shkëlqyer të tyre në fushë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Agustin Kola hodhi në fushë këtë formacion: Synaj, Maxhalaku, Vasa, Bilinishta, Shporaj (Habili 27’- Bogdani 88’), Coka, Reshiti, Kodra, Methoxha, Borci (Cenaj 88’), Muça (Kananaj 95’).
Shqipëria e nisi mbarë ndeshjen, teksa Vasa zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë të takimit, pas një krosi të ardhur bukur nga Methoxha, që u shfrytëzua në mënyrë të saktë nga mbrojtësja kuqezi, që u gjend mirë në zonë. Edhe pas golit të parë, skuadra tenton të luajë përpara, por ndëshkohen në minutën e 14-të nga Pavlovska, e cila realizon golin e barazimit. Kjo nuk e vë në vështirësi ekipin e drejtuar nga Agustin Kola, që vazhdon të kërkojë golin e epërsisë, teksa e gjen në minutën e 29-të Anversa Muça, e cila dyfishon shifrat për Shqipërinë. Skuadra krijon edhe disa raste të tjera, por fraksioni i parë i lojës mbyllet në avantazhin e Kombëtares me rezultatin 1-2.
Me nisjen e pjesës së dytë të lojës, vajzat kuqezi tregohen sërish më superiore, duke krijuar sërish raste, teksa në minutën e 58-të, Arlinda Kodra gjen golin e tretë për skuadrën, pas një goditjeje nga jashtë zone, që i jep më shumë siguri vajzave dhe trajnerit Kola. 12 minuta më vonë, Sela ngushton rezultatin për maqedonaset, duke tentuar të rikthejnë gëzimin në kampin kundërshtar, mirëpo në minutën e 70-të, Muça realizon golin e katërt për skuadrën kuqezi, si dhe golin e dytë personal, duke vulosur shifrat në 2-4.
Ky ishte suksesi i dytë i vajzave kuqezi në këtë grup, ku ishin shortuar së bashku me Skocinë, Maqedoninë e Veriut dhe Azerbajxhanin. Në ndeshjen e parë në grup, Shqipëria triumfoi ndaj Azerbajxhanit 1-0, teksa në sfidën e dytë u mund nga Skocia. Kombëtarja shqiptare u rendit e dyta në grupin B3 në me gjashtë pikë, me dy fitore dhe një humbje, teksa në vendin e parë renditet skuadra e Skocisë./ fshf.org