Bashkimi Europian ka shënuar rekord në numrin e viktimave gjatë 2020 për shkak të pandemisë, shifra më e lartë në 60 vite, sipas statistikave të Eurostat. Vendet e BE-së regjistruan 534,000 viktima më shumë se në 2019 (+ 11%): numri i të vdekurve nga 4.7 milion u rrit në 5.2 milion.
Shifra që “pasqyrojnë ndikimin e pandemisë Covid-19”, sipas Eurostat. Një zëdhënës tha se ky ishte “numri më i lartë i viktimave që nga viti 1961”.
Numri i vdekjeve u rrit në të gjitha vendet e BE-së, por kryesisht në Itali (+111.700, + 18%), Spanjë (+75.500, + 18%) dhe Poloni (+67.600, +17%), sipas të dhënave të botuara nga Zyra Europiane e Statistikave.
Niveli i lartë i vdekshmërisë kontribuoi në uljen e popullsisë së BE-së në vitin 2020, e cila u rrit nga 447.3 milion banorë në 447 milion. Numri i lindjeve gjithashtu shënoi rënie.
Nga 2001 në 2019, popullsia u rrit me 4%, një rritje e ushqyer kryesisht nga një bilanc pozitiv i imigracionit. Ky ekuilibër ra në vitin 2020, pasi u prek nga efektet e pandemisë. Sidoqoftë, elementi kryesor që shpjegon rënien e popullsisë është ndikimi i pandemisë.
Rënia më e madhe e popullsisë u regjistrua në Itali (-384,000, ose -0,6% e popullsisë), e ndjekur nga Rumania (-143,000, -0,7%) dhe Polonia (-118,000, -0,3%).
Në total, nëntë nga 27 vendet anëtare shënuan rënien më të madhe të popullsisë në vitin 2020, 18 vendet e tjera regjistruan rritje: të tilla si Franca (+119,000, + 0,2%), ku numri i lindjeve është më i lartë se i vdekjeve. s.ba/abcnews.al