Europa në krizë lindjesh/ Arrijnë nivelin më të ulët në 6 dekada

schedule19:37 - 3 Dhjetor, 2024

schedule 19:37 - 3 Dhjetor, 2024

Numri i lindjeve në Bashkimin Europian ka pësuar një rënie rekord vitin e kaluar.

Të dhënat e Eurosat tregojnë se lindjet në vendet e unionit ishin rreth 3 milionë e 665 mijë vitin e kaluar, numri më i ulët që nga viti 1961. Kjo shënon një rënie prej 5,5 përqind nga viti 2022, që ishte gjithashtu rënia më e madhe vjetore ndonjëherë.

Vendet më të prekura të BE-së pësuan rënie dyshifrore të numrit të fëmijëve të lindur, duke treguar për një krizë demografike në rritje.

Në Rumani, lindjet ranë me 13,9 %, në Poloni 10,7 për qind dhe Çeki 10%. Të gjitha përbëjnë  një nivel rekord në rënie.

Vendet e mëdha evropiane të pasura si Franca dhe Gjermania po përjetojnë gjithashtu rënie të madhe të numrit të lindjeve, përkatësisht 6.6 % dhe 6.2 %.

Gjermania tashmë po përballet me mungesa kronike të fuqisë punëtore, me rreth 1.3 milionë vende pune të paplotësuara.

Ekspertët demografikë besojnë se tendenca e gjatë e europianëve që të kenë  gjithnjë e më pak fëmijë mund të jetë përkeqësuar nga rritja më e madhe e inflacionit ndër breza, pandemia e Covid-19 dhe shqetësimet për ndryshimin e klimës.

Sipas një raporti të Financial Times, mungesa e të rinjve në Europë pritet të ushtrojë presion mbi financat e unionit pasi popullsia në moshë pune është në rënie dhe kostoja e shpenzimeve në fusha të tilla si kujdesi shëndetësor dhe pensionet rritet.

Nga të dhënat gjithashtu bie në sy se gratë në BE kanë fëmijë në moshë më të madhe. Në vitin 2022, mosha mesatare e grave në lindjen e fëmijës së tyre të parë ishte gati 30 vjeç.

Ndërkohë përqindja e lindjeve nga nënat e moshës 40 vjeç e lart është dyfishuar në dekadën e fundit nga 2.5 për qind në 6 për qind. /abcnews.al