Moment vendimtar për sezonin e Milanit. Kuqezinjtë luajnë nesër sfidën e parë të raundit të Europa League kundër Crvena Zvezdës në Beograd (18:55), teksa të dielën në mesditë (15:00) i pret derbi ndaj Interit në kampionat.
Trajneri i Crvenas është Dejan Stankovic, ish-mesfushori që luajti për 9 sezone me zikaltrit e Interit (2004-2013). 42-vjeçari mbetet një tifoz i ekipit të Contes dhe nuk e kursen batutën në prononcimin e dhënë për Gazzetta dello Sport, por edhe vlerësimet për kundërshtarët kuqezi.
“Interi është padron i fatit të vet në Serie A, shpresoj që Crvena ta lodhë sa më shumë Milanin përpara derbit të së dielës. Conte? Antonio është një tip i fortë, ai nuk i lë kurrë asgjë rastësisë. Milanit i kam frikë mënyrën e drejtpërdrejtë të lojës dhe individualitetet që kanë në skuadër.
Më shkon mendja te Leao, Rebic, Castillejo, Ibrahimovic dhe Calhanoglu. Mos të harrojmë Kessie, një makinë lufte, por sidomos Theo Hernandez. Ai është aq deciziv për Milanin sa ishte Maicon për Interin në vitin që fituam Tripletën“, deklaroi Stankovic. /abcnews.al