Europa League/ Europa League nis me spektakël, “festivale” golash në dy sfidat e para

schedule20:36 - 25 Shtator, 2024

schedule 20:36 - 25 Shtator, 2024

Është tuneu i dytë në Evropë për nga rëndësia sa i përket futbollit të klubeve, por kjo nuk do të thotë se nuk do të jetë spektakolar.

Mbrëmjen e kësaj të mërkure ka nisur zyrtarisht edicioni më i ri i UEFA Europa League, ku ashtu si në elitën e Champions çdo gjë ka ndryshuar, teksa tashmë bëjnë pjesë 36 skuadra dhe do të garojnë me të njëjtin model si në elitën e kampionëve.

Dy sfidat e para ishin totalisht spektakolare, teksa në total u shënuan 10 gola, si dhe nuk munguan as surprizat.

Kështu, në “AFAS Stadion”, holandezët e AZ Alkmaar kanë mundur me rezultatin e ngushtë, 3-2 suedezët e Elfsborg, pavarësisht se këta të fundit morën të parët avantazhin që në minutën e 23’-të me Ouma, mirëpo gjithçka u përmbys shpejt nga “tulipanët” falë dopietës së Van Bommel.

Rezultati do të barazohej sërish në minutën e 53’-të, nga Hedlund, mirëpo fitoren e madhe në ndeshjen e udhëhequr nga Juxhin Xhaja do ta vendoste “bomberi” irlandez, Troy Parrot falë një 11-metërshi.

Në krahun tjetër, “Dragonjtë” e Porto kanë zhgënjyer totalisht në sfidën hapëse, në transfertën norvegjeze të Bodo/Glimt ku janë mundur me shifrat 3-2.

Fitoren e vendasve e siguroi “fantazisti” Jens Hauge me dopietën e tij në minutën e 40’ e 62’, gola që iu shtuan rrjetës së Hogh të regjistruar në minutën e 15’-të, ndërsa për “luzitanët” nuk mjaftuan rrjetat e Omorodion e Gul, duke e nisur me “këmbën e gabuar” këtë sezon të UEFA Europa League. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!