Një sërë shtetesh europiane po shqyrtojnë mundësinë ose edhe po ndërmarrin hapa konkretë për të kufizuar ose ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët dhe adoleshentët, për shkak të shqetësimeve serioze mbi shëndetin mendor dhe zhvillimin e tyre.
Studime të shumta tregojnë se ekspozimi i gjatë ndaj përmbajtjeve online, veçanërisht përmes skrolimit të pafund dhe algoritmeve varësuese, rrit ankthin, varësinë dhe probleme të tjera psikologjike tek të rinjtë.
Franca ka votuar tashmë një projektligj për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa Spanja po planifikon një ndalim deri në moshën 16 vjeç, me kryeministrin Pedro Sánchez që e përshkroi hapësirën dixhitale si një “Perëndim të Egër” plot rreziqe si abuzimi, pornografia dhe manipulimi.
Nisma të ngjashme po diskutohen edhe në Danimarkë, Itali, Greqi, Portugali, Austri dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Parlamenti Evropian ka rekomanduar një ndalim në nivel BE-je për fëmijët nën 16 vjeç, me akses të kufizuar për adoleshentët vetëm me pëlqimin e prindërve.
Një nga idetë kryesore për zbatimin e këtyre ndalimeve është krijimi i një karte identifikuese dixhitale europiane për verifikimin e moshës, e cila teorikisht do të lejonte kontrollin pa mbledhur të dhëna personale të ndjeshme. Megjithatë, aktivistë dhe ekspertë të të drejtave dixhitale shprehin dyshime mbi sigurinë e të dhënave dhe efektivitetin real të kësaj mase.
Ndërkohë, disa ekspertë propozojnë që BE-ja të investojë në krijimin e platformave sociale europiane, të cilat do të respektonin më mirë rregulloret dhe vlerat e kontinentit të vjetër, duke reduktuar varësinë nga gjigantët amerikanë të teknologjisë. / abcnews.al /


