Eurodeputetët letër Kurtit: Pas krizës politike, zgjedhjet mund të jenë mënyra e duhur përpara

schedule19:09 - 9 Prill, 2020

schedule 19:09 - 9 Prill, 2020

Pesë eurodeputetë dhe një ish-anëtar i PE përmes një letre publike i kanë shprehur mbështetjen e tyre kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke theksuar se zgjedhjet mund të jenë shtegdalja e duhur, pasi të kapërcehet kriza e koronavirusit.

Letra është nënshkruar nga Tanja Fajon, deputete, Slloveni; Tonino Picula, deputet, Kroaci; Andreas Schieder, deputet, Austri; Evin Incir, deputete, Suedi; Viola von Cramon-Taubadel, deputete, Gjermani dhe Knut Fleckenstein, ish-deputet, Gjermani.

Në letrën drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti eurodeputetët shkruajnë se askush nuk duhet ta keqpërdorë krizën aktuale për lojëra politike dhe ne shpresojnë, se në Prishtinë ekziston akoma përgjegjshmëria.

Letra e plotë:

“Një letër e hapur drejtuar Kryeministrit të Kosovës.

Bruksel, 9 prill 2020.

I nderuar Kryeministër Kurti,

Së pari, do të dëshironim t’ju siguronim për solidaritetin tonë për betejën e juaj të vështirë kundër pandemisë së koronavirusit. Aktualisht ndodhemi në një kohë të rëndë dhe është mirë kur shohim se me këtë gjendje po ballafaqoheni në këtë mënyrë adekuate.

Qeveritë e shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian e kanë shprehur më 1 prill të këtij viti këtë qëndrim: “Në këtë gjendje të paprecedent, është legjitime që shtetet anëtare të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme, për t’i mbrojtur qytetarët e tyre dhe për ta tejkaluar krizën. Megjithatë, jemi thellësisht të shqetësuar rreth rrezikut të shkeljeve të parimeve të sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave themelore, gjë që po paraqitet nga miratimi i masave të caktuara të emergjencës”.

Duke qenë përkrahës të fuqishëm të respektimit të parimeve të sundimit të ligjit dhe demokracisë, jemi thellësisht të shqetësuar rreth gjendjes politike në shtetin e juaj pas votës së mosbesimit kundër Qeverisë së juaj dhe pasi që lexuam paralajmërimin e presidentit Thaçi rreth interpretimeve të mundshme kushtetuese. Askush nuk duhet ta keqpërdorë krizën aktuale për lojëra politike. Dhe, shpresojmë, që të mbretërojë arsyeja në Prishtinë.

Po ashtu, duam t’ju falëndrojmë për vendimin për heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnja. E kuptojmë se ky hap i domosdoshëm tani duhet të inkurajojë shenja vullneti të mirë nga pala serbe.

I dashuri kryeministër

Jemi të bindur se Kosovës i duhet një qeveri funksionale, posaçërisht në këtë kohë krize. Pas krizës, zgjedhjet mund të jenë mënyra e duhur përpara, në pajtim me kushtetutën e juaj. Ne, anëtarët e Parlamentit Evropian, jemi gjithnjë në anë e popullit të Kosovës.

Jemi duke avokuar vazhdimisht për liberalizimin e vizave tek Këshulli Evropian, për qytetarët e vendit të juaj, pasi që besojmë fuqimisht se e meritoni. Do të donim t’ju inkurajonim ta vazhdoni luftën kundër keqpërdorimit të krizës rreth koronavirusit. Një gjë e tillë vetëm sa do t’ju jepte argumente shtesë atyre që vazhdojnë të punojnë kundër Kosovës.

Sinqerisht

Tanja Fajon, deputete, Slloveni

Tonino Picula, deputet, Kroaci

Andreas Schieder, deputet, Austri

Evin Incir, deputete, Suedi

Viola von Cramon-Taubadel, deputete, Gjermani

Knut Fleckenstein, ish-deputet, Gjermani./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!