Në fillim iu duk se nuk ishte dita e tij. Luka Doncic humbi gjashtë gjuajtje radhazi, ndërsa Sllovenia luante ndaj Belgjikës në ndeshjen e tretë në Kampionatin Europian të basketbollit për meshkuj.
Pasi shënoi të parin, i dha një puthje në distancë koshit, dhe pastaj vazhdoi drejt një arritjeje të madhe.
Shifrat e yllit të Lejkërsave ishin një tripëll dabëll, me 26 pikë, 10 topa në tabela e 11 asistë, diçka që ndodh tepër rrallë në Europianët e basketbollit, I pari në këtë edicion.
Përpara tij, këtë e kishin bërë vetëm dy kroatët, Toni Kukoc e Stojko Vrankovic, rumuni Raresh Mandake dhe polaku Mateush Ponitka.
As të tillë si Sabonis, Novicki, Parker apo Jokiç nuk ia kanë dalë.
Doncic nuk është se shkëlqeu në gjuajtjet e tij, ai realizoi vetëm 39 për qind nga loja, ndërsa shtoi 3 vjedhje topi, por gjithsesi, kontributi I tij ishte I madh poshtë tabelave dhe në lojën sulmuese.
Për momentin, slloveni 26-vjeçar është shënuesi më I mirë I Europianit me mesataren 33 pikë për ndeshje.
Për të parë basketbollistin e tyre, në tribunën VIP në Arenën e Katovicës në Poloni kishin ardhur presidentja dhe aksionerja kryesore e Lejkërsave, Xheni Bas, dhe shefi sportiv Rob Pelinka.
Nuk është e lehtë edhe për një Luka Doncic të udhëheqë Slloveninë drejt titullit kontinental, diçka që e ka provuar kur ishte 18 vjeç në Europianin e vitit 2017 në Turqi.
Ku I dihet, ndoshta mrekullia mund të përsëritet.

