Është përmbyllur me sukses turneu “UEFA Women’s U-17 Championship” për grupin A7 i cili u mirëprit dhe u organizua nga FSHF. Të gjitha ndeshjet kualifikuese u luajtën në stadiumet “Niko Dovana” dhe “Elbasan Arena” në datat 7, 10 dhe 13 nëntor.
Përsa i përket grupit në vendin e parë e mbyllën vajzat e Suedisë, pas tyre vajzat e Danimarkës, Greqisë dhe Bjellorusisë. Takimi i parë i ditës u zhvillua në “Niko Dovana” të Durrësit në orën 11:00, mes Greqisë dhe Bjellorusisë. Sfida ishte e bukur dhe e luftuar deri në minutën e fundit në ndeshjen mes Greqisë dhe Bjellorusisë e cila përfundoi në barazim 2-2. Vajzat e Greqisë kaluan të parat në avantazh me golin e Maria Eleni Mougiou. Pjesa e parë u mbyll 1-0, ndërsa fraksioni i dytë prodhoi gola të tjerë. Ioanna Ntatis realizoi golin e dytë për Greqinë pasi u tregua e saktë nga penalltia. Megjithatë vajzat e Bjellorusisë rihapën takimin vetëm dy minuta më vonë, pasi shkurtuan diferencën me golin e Dziyana Katsynel. Kur gjithçka po shkonte drejt fundit Bjellorusia vendosi baraspeshën me golin e Anastasia Kavaliova dhe sfida përfundoi në barazim 2-2. Greqia dhe Bjellorusia e mbyllën turneun me vetëm një pikë të grumbulluar në tre ndeshje.
Sfida tjetër e ditës u luajt në “Elbasan Arena” në orën 14:00 mes Danimarkës dhe Suedisë. Të dyja skuadrat vinin në një formë të mirë dhe me pikë të barabarta, por vajzat e Suedisë nuk gabuan, fituan edhe ndeshjen e tretë të turneut dhe morën vendin e parë.
Suedia kaloi e para në avantazh me Ella Lundin, megjithatë Danimarka vendosi baraspeshën në minutën e 42 falë golit të Amalie Lund. Fraksioni i dyti nisi sërish më mirë për vajzat e Suedisë që rimorën avantazhin menjëherë në të 47-ën me Moa Svensson. Ndërsa në të 69-ën Fabienne Bartholdson shënoi golin e tretë dhe të qetësisë për Suedinë. Danimarka rihapi sërish takimin 10 minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt me realizimin e Flora Hojer, por goli shërbeu vetëm për statistik, pasi Suedia triumfoi dhe mori vendin e parë.
Ky ishte një tjetër turne që në nivel organizimi ishte i shkëlqyer duke sjellë edhe vlerësimet më të mira nga pjesëmarrësit dhe UEFA për kushtet e krijuara nga FSHF gjatë gjithë këtyre ditëve në vendin tonë.
Më poshtë kalendari dhe renditja e ndeshjeve kualifikuese të Grupit A7 të Europianit U-17 për vajza:
Datë 07.11.2023
Suedi – Greqi 2-0
Bjellorusi – Danimarkë 0-6
Datë 10.11.2023
Danimarkë – Greqi 3-1
Suedi – Bjellorusi 3-0
Datë 13.11.2023
Greqi – Bjellorusi 2-2
Danimarkë – Suedi 2-3
Renditja:
1. Suedi 9 pikë
2. Danimarkë 6 pikë
3. Greqi 1 pikë
4. Bjellorusi 1 pikë /FSHF