EURO U-19 për vajza/ Shqipëria mbyll përgatitjet, gati për sfidën ndaj Qipros

schedule17:16 - 27 Tetor, 2023

schedule 17:16 - 27 Tetor, 2023

Kombëtarja shqiptare U-19 për vajza është gati për të luajtur sfidën e dytë ndaj Qipros, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshë. Pasditen e sotme, ekipi i drejtuar nga Kreshnik Krepi përmbylli edhe përgatitjet për përballjen e nesërme, me skuadrën që do të kërkojë të marrë tre pikët e radhës, pas fitores me Lituaninë të mërkurën.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mesfushorja Xhesika Ndoj nuk u stërvit me ekipin për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Ndoj ka pasur temperaturë gjatë ditës së sotme dhe stafi teknik vendosi që mesfushorja kuqezi mos të stërvitej me ekipin, duke shpresuar se do të jetë në gjendje të mirë shëndetësore për ndeshjen e ditës së nesërme.

Kombëtarja do të luajë ndaj Qipros në stadiumin ‘Wil’ të Zvicrës duke nisur nga ora 19:00. Ekipi kuqezi renditet në vendin e dytë, në kuotën e tre pikëve pas sfidës së parë ndaj Lituanisë.

Raundi i parë i eliminatoreve për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024 për këtë kategori po zhvillohet në Zvicër, teksa Kombëtarja shqiptare ka si synimin ngjitjen në Ligën A për herë të parë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!