EURO U-19 për vajza/ Shqipëria korr suksesin e dytë radhazi, fiton edhe ndaj Qipros

schedule21:18 - 28 Tetor, 2023

schedule 21:18 - 28 Tetor, 2023

Pas fitores 2:1 ndaj Lituanisë, Shqipëria U-19 për vajza triumfon edhe ndaj Qipros! Pas plot 90 minutave lojë të zhvilluara në stadiumin “Wil”, të Zvicrës, vajzat kuqezi mposhtën edhe përfaqësuesen qipriote me rezultatin 2-1, duke marrë kështu tre pikët e radhës në grupin B1.

Klesta Ago dhe Klaudia Borci janë autoret e golit në takimin që Shqipëria luajti pasditen e sotme ndaj Qipros, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2024 për këtë grupmoshë.

Trajneri i ekipit kombëtar U-19, Kreshnik Krepi hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Amelia Mone (GK), Rigersa Tori, Rexhina Maxhalaku, Rosela Vasa, Xhesika Ndoj, Arlinda Kodra (c), Alesja Çinaj, Era Methoxha, Klesta Ago, Jehona Coka dhe Klaudia Borci.

Pjesa e parë e takimit u dominua thuajse e gjitha nga vajzat kuqezi. Shqipëria kaloi shumë shpejt në avantazh, me një gol të realizuar nga Klesta Ago që në minutën e 6-të të takimit. Sulmuesja kuqezi godet topin në mënyrë perfekte nga jashtë zone, duke mos i lënë asnjë mundësi portieres qipriote për ta pritur dhe duke dërguar shifrat në 1-0 për vajzat kuqezi. Pak minuta më vonë, Xhesika Ndoj provon të asistojë për Borcin, por portierja kundërshtare grushton, duke i mohuar golin e dytë Shqipërisë.

Kuqezezat nuk ndalen me kaq, por krijojnë shumë raste të tjera, me Kodrën, Agon, Cokën, por mungoi vetëm finalizimi. Edhe Era Methoxha provoi mundësinë e saj në minutën e 41-të, por topi përfundon në duart e portieres.

Pjesa e parë mbyllet nën epërsinë 1-0 për Shqipërinë. Vajzat kuqezi kërkojnë të dyfishojnë rezultatin në pjesën e dytë dhe golin e gjen sulmuesja Klaudia Borci, me një super goditje të bukur po nga jashtë zone. Minuta e 60-të dhe rezultati është 2-0 për Shqipërinë! Jehona Coka pati mundësinë të shënonte golin e tretë për skuadrën, duke gjuajtur një top në shtyllën e dytë, por është sërish portierja ajo që shpëton Qipron nga trefishimi i rezultatit.

Në minutën e 78-të, trajneri Krepi vendos të largojë nga fusha Era Methoxhën për Anversa Muçën. Pak minuta më vonë, qipriotet ngushtojnë rezultatin në 2-1. Trajneri bën edhe një zëvendësime tjetër në skuadër, duke hedhur në fushë Torin për Angela Nikën.

Ndeshja mbyllet me rezultatin 2-1 për Shqipërinë, me vajzat kuqezi që renditen në vendin e dytë të grupit B1, me 6 pikë, po aq sa Zvicra. Në ndeshjen tjetër të grupit, zvicerianet fituan 17-0 ndaj Lituanisë.

Ndeshja e tretë e Shqipërisë U-19 për vajza ndaj Zvicrës do të luhet të martën, po në stadiumin ‘Wil’./ h.ll/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!