EURO U-17 për vajza, Danimarka dhe Suedia i nisin me fitore ndeshjet e zhvilluar në Shqipëri

schedule16:56 - 8 Nëntor, 2023

schedule 16:56 - 8 Nëntor, 2023

Janë luajtur sot dy ndeshjet e parë për kualifikueset e Europianit U-17 për vajza, që po zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sfida e parë ishte ajo mes Suedisë dhe Greqisë, që u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, që përfundoi me fitoren 2-0 të suedezeve.

Pjesa e parë ka qenë e balancuar dhe me raste, por nuk pati zhbllokim të rezultatit, ndërkohë që në pjesën e dytë Suedia arriti të hipotekonte tre pikët.

Në minutën e 61-të është Nova Rolfsson e cila pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një sprinti prej 40 metrash me topin arrin të godasë saktë, duke tundur rrjetën për avantazhin 1-0. Më pas në minutën e 70-të pas një aksioni nga e djathta është Ella Lundin e cila në hyrje të zonës godet saktë, për të realizuar golin e 2-0. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe Suedia merr kështu tre pikët e para në Grupin A7.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Danimarka fitoi pa shumë vështirësi ndaj Bjellorusisë, duke triumfuar me shifrat 6-0 në takimin e luajtur po sot në stadiumin “Elbasan Arena” të Elbasanit.

Danezet kaluan shumë shpejt në avantazh me golin e shënuar nga Josefine Hansen Uhd, e cila e depoziton topin në portë me një goditje nga në zonën e vogël. Në minutën e 24-t është radha e Lærke Friis, e cila pas një galopimi në qendër gjuan bukur me të djathtën, duke mos i dhënë asnjë shans portieres bjelloruse dhe fikson shifrat në 2-0. Në minutën e 25-të pas një goditje këndi dhe rrëmuje në zonë është Carli Scheuer Moesgaard, e cila përfiton dhe shënon golin e tretë për Danimarkën, që mbylli pjesën e parë me avantazhin 3-0.

Në pjesën e dytë Danimarka vijon me superiotetin e saj në fushë në minutën e 72-të vjen goli i katërt, kur Josefine Hansen Uhd depërton nga e djathta dhe kroson në zonë. Një mosmarrëveshje mes portieres dhe mbrojtjes bën që topi të devijohet në portë me sulmuesen që realizon kështu dygolëshin personal. Danezet nuk ndalen me kaq dhe në minutën e 78-të realizojnë një tjetër gol të bukur pasi Larsen hyn në zonë nga e majta dhe pason për Lærke Friis, e cila me të majtën e dërgon topin në rrjetë. Në minutën e 87-të përsëritet e njëjta skemë dhe këtë radhë është Flora Høje, e cila shënon golin e gjashtë për danezet, që fitojjnë kështu me rezultatin 6-0.

Ndeshjet e dyta të turneut zhvillohet më 10 nëntor, me Danimarkën që do të përballet me Greqinë në ora 11:00, ndërsa Suedi – Bjellorusi është programuar të zhvillohet në orën 14:00. Ndeshjet e fundit të turneut do të luhen më 13 nëntor, në të njëjtën orë 11:00.

Greqia do të luajë kundër Bjellorusisë, ndërsa Danimarka do të luajë ndaj Suedisë. Ky është turneu i 9-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.

Më poshtë kalendari i ndeshjeve kualifikuese të Grupit A7 të Evropianit U-17:

Sot

Suedi – Greqi  2-0

Bjellorusi – Danimarkë   0-6

Datë 10.11.2023

Danimarkë – Greqi

Stadiumi “Niko Dovana”, ora 11:00

Suedi – Bjellorusi

Stadiumi “Elbasan Arena”, ora 14:00

Datë 13.11.2023

Greqi – Bjellorusi      

Stadiumi “Niko Dovana”, ora 11:00

Danimarkë – Suedi      

Stadiumi “Elbasan Arena”, ora 11:00 /FSHF