EURO U-17 për vajza, Danimarka dhe Suedia fitojnë edhe ndeshjet e dyta në Shqipëri

schedule17:36 - 10 Nëntor, 2023

schedule 17:36 - 10 Nëntor, 2023

Këtë të mërkurë janë zhvilluar edhe ndeshjet e dyta për kualifikueset e Europianit U-17 për vajza, që po zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sfida e parë ishte ajo mes Danimarkës dhe Greqisë, që u luajt në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, dhe përfundoi me fitoren 3-1 të danezeve. Në pjesën e parë Danimarka dominoi takimin por nuk arriti të shënonte dhe gjithçka përfundoi 0-0. Fraksioni i dytë nisi më mirë për vajzat e Greqisë që zhbllokuan takimin në minutën e 63 me Electra Tzourtzevits. Kur gjithçka po shkonte drejt fundit, Danimarka përmbysi rezultatin dhe realizoi tre gola. Fillimisht në të 86-ën me Amalie Lund, ndërsa përmbysja e madhe erdhi tre minuta më vonë në të 89-ën, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Julie Borkop. Sulmuesja Amalie Lund realizoi golin e tretë dhe të dytin personal në minutat shtesë 90+4, duke vulosur përfundimisht fitoren e Danimarkës.

Në ndeshjen tjetër të grupit, Suedia fitoi pa shumë vështirësi ndaj Bjellorusisë, duke triumfuar 3-0 në takimin e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Në këtë sfidë pjesa e parë përfundoi 0-0, ndërsa në fraksionin e dytë suedezet realizuan tre herë. Fillimisht zhbllokuan takimin në minutën e 51 me Ella Alexandersson. Në të 67-ën Ella Lundin realizoi golin e dytë dhe të qetësisë për ekipin e Suedisë. Ndërsa në të 84-ën sërish Ella Lundin u bë protagoniste duke shënuar golin e tretë dhe të dytin personal.

Pas përfundimit të ndeshjeve të dyta, Danimarka vijonë të kryesojë renditjen me gjashtë pikë të plota po aq sa Suedia, megjithatë falë golavarazhit më të mirë Danimarka qëndron e para. Sfida e fundit do të jetë Danimarkë – Suedi që do të vendosë se kush do ta mbyllë në vendin e parë në grupin A7. Ndeshja tjetër e këtij grupi do të jetë Greqi – Bjellorusi dhe të dyja sfidat do të luhen më 13 nëntor, në të njëjtën orë 11:00. Ky është turneu i 9-të që organizohet në Shqipëri nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n.

Kalendari dhe renditja e ndeshjeve kualifikuese të Grupit A7 të Evropianit U-17 për vajza:
Datë 07.11.2023

Suedi – Greqi 2-0
Bjellorusi – Danimarkë 0-6

Datë 10.11.2023
Danimarkë – Greqi 3-1
Suedi – Bjellorusi 3-0

Datë 13.11.2023
Greqi – Bjellorusi
Stadiumi “Niko Dovana”, ora 11:00
Danimarkë – Suedi
Stadiumi “Elbasan Arena”, ora 11:00

Renditja:
1. Danimarkë 6 pikë
2. Suedi 6 pikë
3. Greqi 0 pikë
4. Bjellorusi 0 pikë