Euro me rekord të ri negativ/ Dobësohet më tej, këmbehet me 99.47 lekë

schedule14:57 - 15 Shtator, 2024

schedule 14:57 - 15 Shtator, 2024

Leku vijon të qëndrojë i fortë përballë euros.

Monedha europiane e ka mbyllur javën me një nivel të ri duke u dobësuar edhe më tej kundrejt monedhës shqiptare. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet aktualisht me 99,47 lekë  një rekord i ri i cili nuk është regjistruar gjatë këtij viti. Monedha europiane është dobësuar edhe pse sezoni turistik veror ka mbaruar.

Ky është një tregues se turizmi në vend po bëhet gjithvjetor. Po ashtu në forcimin e lekut ka dhënë efekte edhe rritja e investimeve të huaja, remitancat. Nëse e krahasojmë nivelin e  monedhës europisnë me të njëjtën periudhë të një viti më parë atëherë rezulton se rënia është mbi 6%. Mesa duket tregu i brendshëm valutor është futur në një normalitet të ri,  pasi  gradualisht po zbehen edhe luhatjet sezonale në këmbimin e euros me lekun.

Agjentët e kursit të këmbimit nuk përjashtojnë faktin  që euro të zbresë edhe më poshtë pasi tashmë prej kohësh është thyer niveli psikologjik prej 100 lekësh.

Dobësimi i monedhës europiane vlerësohet si një faktor pozitiv nga Banka e Shqipërisë pasi ndikon direkt në mbajtjen nën kontroll të çmimeve të konsumit. Po ashtu një trend i tillë është pozitiv edhe për të gjithë ata persona që kanë kredi në euro sepse do të paguajnë më pak. Përfitime nga një lek i fortë përballë euros ka edhe qeveria pasi paguan më pak kosto për borxhin e jashtëm. Ata që dëmtohen direkt janë eksportuesit pasi i shesin mallrat në euro duke marrë më pak fitime.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!