Euro godet eksportet, bien me 22% në gusht, ndikim edhe rënia e çmimeve në tregjet e huaj

schedule15:33 - 19 Shtator, 2023

schedule 15:33 - 19 Shtator, 2023

Zhvlerësimi i fortë i euros ka goditur eksportet edhe gjatë gushtit, pasi të dhënat e fundit të INSTAT flasin për një tkurrje të tyre me rreth 22% kundrejt një viti më parë, ndërsa rënia ishte më e madhe kundrejt korrikut me mbi 27%.

Në vlerë eksportet shqiptare gjatë muajit të kaluar arritën në 27 miliardë lekë, ndërsa si raport 8 mujor kapën një shifër prej 300 miliardë lekë, 28 miliardë lekë më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

Por, INSTAT raporton se ky ngadalësim i volumit tregtar këtë periudhë krahas nënçmimit të euros është ndikuar edhe nga një tjetër faktor, nga rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare të produkteve duke ndikuar kështu si eksportet ashtu edhe importet e mallrave.

Këto të fundit arritën në 68 miliardë lekë muajin e kaluar, duke shënuar një rënie me gati 15% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Ndikim në uljen e eksporteve gjatë gushtit e dhanë kryesisht grupet e materialeve të ndërtimit dhe metalet me një tkurrje prej 14.3%, ndjekur nga tekstilet e këpucët me një rënie prej 3.8%, ndërsa shifrat flasin për ngadalësim edhe në grupet e tjera.

Sa i takon shteteve drejt të cilave Shqipëria ka parë rënien më të madhe  të eksporteve në gusht renditet Spanja, Gjermania dhe partneri kryesor tregtar Italia. Ndërkaq, janë rritur mallrat e eksportuara drejt Kosovës jo vetëm gjatë gushtit, por edhe si raport 8-mujor./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!