Euro e palëkundur përballë lekut, ekspertët: Bien reminitancat dhe investimet

schedule16:01 - 27 Dhjetor, 2019

schedule 16:01 - 27 Dhjetor, 2019

Jemi në prag festash dhe shumë emigrantë sjellin të ardhura pranë familjeve por kjo nuk është reflektuar në kursin e këmbimit. Monedha europiane duket se është stabilizuar përballë lekut shqiptar duke arritur një cikël të ri. Sipas eksperëtve në mbiçmimin e lekut ka ndikuar frenimi i investimeve të huaja por edhe fluksi i eurove ne treg.

Zhvlerësimi i monedhës europiane kundrejt lekut shqiptar ka vijuar edhe gjatë vitit 2019.Aktualisht sipas Bankës së Shqipërisë një euro po këmbehet me rreth 121 lekë ndërkohë që vlerën më të lartë e ka arritur në shkurt të këtij viti kur një euro është këmbyer me 126 lekë.

Por pavarësisht se jemi në prag festash dhe emigrantët sjellin më shumë të ardhura për familjet e tyre në kursin e këmbimit nuk janë vënë re ndryshime.

Eksperti Ardian Civici deklaron se stabilizimi ka ardhur si rezultat e fluksit të eurove në treg dhe ekuilibri i ri që është vendosur pritet të mbetet edhe për disa muaj.

Por Zef Preçi argumenton se mbiçmimi i lekut ka ardhur si pasojë e frenimit të investimeve dhe uljes së remitancave të cilat kanë hyrë në Shqipëri.

Pas zhvlerësimit të euros kundrejt lekut gjatë vitit të kaluar Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg dhe bleu 460 mln euro për të stabilizuar kursin e këmbimit. Eksportuesit dhe fasonët ishin ata që u prekën më shumë dhe kërkuan ndërhyrje për të stabilizuar kursin.

Gjatë 2019 monedha europiane pësoi një tjetër zhvlerësim duke pësuar ulje me 4.6% krahasuar me një vit më parë dhe është këmbyer mesatarisht me 123 lekë. /abcnews.al