Euro e nis edhe këtë javë me rënie, prek nivelin më të ulët prej datës 4 janar

schedule14:27 - 20 Shkurt, 2023

schedule 14:27 - 20 Shkurt, 2023

Euro e ka nisur edhe këtë javë në rënie kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të hënën me 115.44 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët që prej datës 4 janar të këtij viti.

Sipas agjentëve të tregut, kursi i këmbimit po shfaq tipare të ngjashme me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, me ofertë konstante të euros dhe pa lëvizje të mëdha në kërkesën për monedhën europiane.

Statistikat e disponueshme deri në fund të 9-mujorit të vitit të kaluar treguan se deficiti i llogarisë korrente rezultoi në nivele të ngjashme krahasuar me një vit më parë, por nga ana tjetër investimet e huaja direkte rezultuan në nivelet më të larta historike.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se depozitat bankare në valutë të huaj u rritën me ritme të larta edhe vitin e kaluar. Veçanërisht, depozitat në euro u rritën me 17%.

Tërthorazi, kjo tregon se prurjet valutore në ekonomi ishin të larta, pa llogaritur këtu edhe prurjet e konsiderueshme informale, që, sipas agjentëve të tregut, kanë një rol të rëndësishëm në ecurinë e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

Teorikisht, forcimi i lekut mund të jetë ndikuar edhe nga kahu konsolidues i politikës monetare, por edhe asaj fiskale. Banka e Shqipërisë rriti vitin e kaluar normën bazë të interesit me ritme të shpejta, duke e çuar nga 0.5% në 2.75%. Ndërkohë, megjithëse treguesit buxhetorë përfundimtarë të vitit 2022 nuk janë publikuar ende, deri në fund të nëntorit deficiti buxhetor ishte në nivele ndjeshëm më të ulët krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se në fund të vitit të kaluar 2022 rritja vjetore e agregatit monetar M2, që përafron ofertën monetare në lekë (të zhveshur nga llogaritë dhe depozitat e qeverisë), zbriti në nivelin më të ulët që prej vitit 2018. Kjo tregon një ngadalësim të rritjes së ofertës së lekut, edhe ky faktor me ndikim potencial në kursin e këmbimit valutor.

Leku vazhdon të shfaqë pozita të forta, në linjë me tendencën e vërejtur në vitet e fundit, madje në nivele më të mira edhe se parashikmet afatshkurtra të analistëve financiarë.

Analiza periodike e Raiffeisen Research për kursin e këmbimit valutor mes euros dhe lekut në muajin janar parashikonte që në tremujorin e parë 2023 që raporti mes monedhave të lëvizte në intervalin mes 116 dhe 118 lekëve, ndërsa parashikimi pikësor për kursin mesatar është i vendosur pranë nivelit të 117.5 lekëve.

Megjithatë, edhe në analizën e mësipërme nënvizohej se risqet për shmangie nga intervali i parashikuar janë kryesisht në favor të lekut, çka do të nënkuptonte një rënie të Euros në nivele edhe më të ulëta.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kursi mesatar i këmbimit të euros për vitin 2022 zbriti në 119 lekë, 122.5 lekë që kishte qenë në vitin 2021. Por, gjysma e dytë e viti solli një tendencë në dukshme drejt një mbiçmimi më të lartë të monedhës vendase.

Për tremujorin e fundit 2022, euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë, ndërsa për muajin dhjetor kursi mesatar ishte edhe më i ulët, në nivelin 114.9 lekë. Në datën 28 dhjetor, euro shënoi edhe nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, në vlerën e 112.83 lekëve./Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë