EURO 2025/ Trajneri Grima: Nuk ka kundërshtarë të lehtë, synojmë vendin e parë në grupin C5

schedule13:36 - 1 Prill, 2024

schedule 13:36 - 1 Prill, 2024

Shqipëria e vajzave A ka nisur përgatitjet në kuadër të edicionit të ri kualifikues të Kampionatit Europian “Zvicër 2025”. Vajzat kuqezi po stërviten në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, teksa grumbullimi ka nisur prej të dielës.

Gjatë komunikit të tij me mediat, këtë të hënë, trajneri Armir Grima, tha se gjendja e ekipit është e mirë dhe nuk ka dëmtime.

“Sot është dita e dytë e grumbullimit dhe besoj që jemi mirë. Nuk ka dëmtime, grupi është i plotë. Objektivi është që të dalim të parët në grup, normalisht duke fituar ndeshjet që kemi”, – u shpreh fillimisht trajneri Grima.

Më tej, tekniku kuqezi dha një koment për kundërshtarët teksa shtoi se objektivi i Shqipërisë është vendi i parë në grupin C5, për t’u rikthyer sërish në Ligën B dhe për të luajtur shanset në fazën play-off.

“Ekipe të dobëta nuk ka, pasi në futbollin e vajzave po investojnë pothuajse të gjitha shtetet. Edhe Luksemburgu nuk është ekip aq i lehtë sa mund të duket në letër. Megjithatë ne jemi “të dënuar” për t’i fituar të dyja ndeshjet, që të shkojmë sërish në Ligën B.

Objektivi? Objektivi kryesor është që ne të jemi vendi i parë në këtë grup, pastaj duhet të shohim edhe mundësitë dhe shanset që kemi në ndeshjet e tjera, duke vazhduar më tej në fazën play-off. E rëndësishme është që ne të jemi vendi i parë në grupin C5”, – përfundoi trajneri Grima.

Shqipëria e vajzave do të luajë ndeshjen e parë në edicionin kualifikues të Kampionatit Europian “Zvicër 2025” ndaj Luksemburgut, më datë 5 prill, në stadiumin “Émile Mayrisch” në ora 19:30.

Ndërsa më 9 prill, Shqipëria do të presë në stadiumin “Air Albania” ekipin e Estonisë. Takimi është planifikuar të luhet në ora 20:00, teksa dyert e stadiumit do të jenë të hapura për të gjithë tifozët shqiptarë, në mbështetje të vajzave kuqezi. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!