EURO 2025, eliminatoret e U-21/ Shqipëria e Alban Bushit sfidon Zvicrën

schedule09:50 - 26 Mars, 2024

schedule 09:50 - 26 Mars, 2024

Pas barazimit të pak ditëve më parë me Finlandën, Kombëtarja U-21 e Shqipërisë luan sot, në orën 17:00, sërish në “Air Albania”, këtë herë me Zvicrën.

Edhe në këtë ndeshje hyrja do të jetë falas për tifozët shqiptarë, të cilët duan të ndjekin nga afër skuadrën e drejtuar nga trajneri Alban Bushi.
Mbrojtësi shkodran, Geralb Smajli, titullar ndaj Finlandës, ka lënë grumbullimin për shkak të problemeve fizike dhe sot nuk është në dispozicion të stafit teknik.

Gjithë lojtarët e tjerë janë gati për këtë sfidë mjaft të vështirë. Shqipëria U-21 ka luajtur deri tani 6 ndeshje në Grupin E të kualifikueseve të “Euro 2025”.

Kuqezinjtë mbajnë vendin e tretë, me pikë të barabarta me Rumaninë e vendit të dytë, nga 10 secila, por rumunët kanë një ndeshje më pak.

Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë, kryeson Grupin E me 11 pikë dhe me një ndeshje më pak se Shqipëria.

Barazimi me Finlandën është konsideruar një hap fals, duke qenë se luhej në Tiranë, ndaj dhe sot pritet një reagim nga ana e kuqezinjve.

Para Finlandës, skuadra e trajnerit Bushi ka humbur thellë, 5-0, kundër Rumanisë. Kuqezinjtë janë në grup me Zvicrën, Rumaninë, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë./ h.ll/abcnews.al