EURO 2024/ Trajneri Sylvinho e Gjimshiti: E njohim forcën e Italisë, në fushë do të luftojmë për çdo pikë

schedule19:45 - 14 Qershor, 2024

schedule 19:45 - 14 Qershor, 2024

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën pasditen e kësaj të premteje në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes debutuese në Euro 2024 që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Italisë. Ky takim është planifikuar të nisë në ora 21:00 në stadiumin e Dortmundit.

Trajneri Silvinjo e nisi konferencën duke u shprehur se është i lumtur dhe një nder që do të jetë në krye të Shqipërisë në Kampionatin Europian. Më pas tekniku brazilian foli për tre kundërshtarët e grupit, duke theksuar se është i vetëdijshëm për vështirësinë. Ai nënvizoi se djemtë janë të gatshëm për të dhënë maksimumin për të përfaqësuar sa më mirë vendin në Europian.

Gjithashtu Silvinjo vlerësoi ekipin e Italisë, duke u shprehur se janë të aftë për të fituar sërish Europianin. Trajneri i Kombëtares shtoi se Shqipëria do të zbresë në fushë për të luftuar dhe për të tentuar të marrë pikë në çdo ndeshje.

Debutimi në  Euro 2024, si ndiheni? – Para së gjithash jam i lumtur që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë në kualifikuese dhe është nder të jem me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq që kapiteni Gjimshiti nuk ka luajtur në 2016, por më vjen mirë për mundësinë që tashmë është dhe e meriton. Ai na përfaqëson shumë mirë. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh. Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për formacionin, edhe pse është pothuajse i vendosur formacioni.

Prania e shumë tifozëve shqiptarë në stadium? – Ka shumë shqiptarë gjithandej nëpër botë. E dimë që ka shqiptarë në Gjermani, Itali, Zvicër, gjithandej. Është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, që të përfaqësojmë këta njerëz që jetojnë anembanë. Kështu që do të jetë edhe më mirë në një stadium të mbushur, me ngjyrat kuqezi më së shumti.

Italia e Mancinit dhe Spalletti? – Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një “top” skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë.

Atmosfera para ndeshjes me Italinë? – Ju më njihni shumë mirë, kemi biseduar pas ndeshjes me Moldavinë ku e kemi marrë biletën për kampionatin europian. Tani, 6 muaj më vonë, ndjenjat janë të njëjta. Skuadra ëshët shumë e motivuar. Djemtë janë të gatshëm dhe do jetë një ditë e mrekullueshme për të përfaqësuar vendin. Do jetë dita me më shumë emocione pas asaj ndeshje me Moldavinë. Do futemi në fushë për të dhënë më të mirën tonë.

Do të doja t’ju pyesja se çfarë Italie prisni. Spalletti mund të luajë me tre apo katër mbrojtës? Kush do të luajë në portë Berisha apo Strakosha? – Me atë që kemi parë, ata mund të përshtaten me sistemin 3-4-3 dhe 4-3-3, mund të ndryshojnë sistemin në varësi të kundërshtarit. Janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Ne kemi edhe një seancë stërvitore pastaj do të vendosim për formacionin titullar.

Në grup me ekipe të mëdha? – E dimë se çfarë gare është, e dimë sa të mëdhenj janë kundërshtarët. Në vitin 2018 luajtëm me Zvicrën me Brazilin dhe kishim vështirë, edhe pse ishim favoritë. Do dalim në fushë dhe të luftojmë për secilën pikë. Është një ndeshje e vështirë, por është fantastike. Çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje futbolli.

Dilema për formacionin startues? – Ne i kemi studiuar që të tre kundërshtarët, jemi përqëndruar shumë te Italia si ndeshje e parë. Kemi punuar gjashtë apo shtatë ditë, një kohë e mjaftueshme për të ndërtuar një strategji. Pastaj kemi menduar edhe për dy ndeshjet e tjera. Për Italinë, dëshira jonë është të zbresim në fushë dhe të luajmë mirë.

Lojtarët me pak minuta? – Kur një lojtar ka më shumë minuta, është më mirë. Fizikisht djemtë janë mirë, edhe në aspektin individual. Asani e Broja duken mirë fizikisht.

Mendoni që Mitaj dhe Daku mund ta përmirësojnë skuadrën, apo do të preferonit që në vend të Rusisë të luanin në një vend tjetër europian?  – Janë dy lojtarë shumë të mëdhenj, të mrekullueshëm. Daku është shumë i mirë, ata mund të përmirësohen në Rusi. Është një ligë e fortë në aspektin fizik. Mitaj është një lojtar taktik, e dua dhe e kam sjellë kur ishte 19-vjeç. E kam parë në kombëtare, mund ta ndihmoj shumë kombëtaren. Ka bërë një punë shumë të mirë. Më pëlqejnë që të dy dhe e di se mund të përmirësohen shumë në Rusi, por edhe në vende të tjera.

Kapiteni Gjimshiti vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, për emrin dhe futbollistët që ka, teksa theksoi se është shumë e rëndësishme një nisje e mbarë e Kampionatit Europian, për të shpresuar në një rrugëtim të gjatë të Shqipërisë në këtë kompeticion.

Ndeshja me Italinë do të jetë shumë e rëndësishme edhe për ecurinë në Europian? – Sigurisht që të tre ndeshjet janë shumë të rëndësishme, por nëse e nisim me këmbën e mbarë, mund të kemi në ndihmë dhe një motivim më shumë për të ecur përpara. Një rezultat pozitiv ndaj Italisë mund të jetë një shtysë më shumë për ndeshjet e tjera.

Do të keni një duel me shokun tuaj të skuadrës, Scamaccën. A keni folur me të gjatë kësaj kohe dhe çfarë mund të presim në fushë? – E njoh shumë mirë, pasi kemi luajtur bashkë për një sezon të tërë. Që nga festa kur fituam Europa League, nuk kemi folur bashkë, por nuk do të jetë me rëndësi Gjimshiti-Scamacca, por në tërësi ndeshja Shqipëri-Itali.

Në miqësoret e fundit Italia ka vuajtur jo pak. A është ky një kurth i tyre? – Sigurisht që i kemi ndjekur ndeshjet e fundit të Italisë dhe trajneri na ka evidentuar forcën e tyre, ku duhet të tregojmë kujdes. Analiza nevojitet për ndeshjen e nesërme dhe besoj se jemi përgatitur mirë për të qenë gati.

Në këtë Shqipëri, çfarë ka nga Seria A dhe futbolli italian? – Ka shumë nga futbolli italian, pasi jo vetëm që jemi shumë futbollistë që luajmë në Itali, por edhe trajneri ka një eksperiencë të rëndësishme në Serinë A. Luajmë aty dhe njohim shumë mirë kundërshtarët tanë, por e dimë mirë që kemi përballë Italinë, kampionen në fuqi dhe që luan në të tilla kompeticione për të fituar, ndaj duhet të bëjmë kujdes.

Shumë prej futbollistëve të Shqipërisë, janë fëmijë emigrantësh që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera, por që përfaqësojnë vendin e tyre?  – E vërtetë. Shumë prej nesh jemi lindur apo rritur në vende të tjera, por jemi shqiptarë. Në shtëpitë tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë.

Keni fituar edhe Europa League këtë sezon me Atalantën. Cilat janë njohuritë apo emocionet që keni fituar në këtë kompeticion dhe që do të donit t’i transmetonit të shokët e skuadrës? – Triumfi në Europa League ka qenë rezultat i një procesi pune që ka nisur shumë kohë më parë. Ne jemi të përgatitur të bëjmë maksimumin për të fituar në çdo ndeshje. Jemi përgatitur të bëjmë më të mirën dhe shpresojmë që të na shkojë mirë.

A mund të na tregoni se çfarë ka sjellë puna e trajnerit te ju? – Puna e tij na ka përmirësuar shumë, prej më shumë se një viti që kur ka ardhur. E dimë si punon çdo ditë për të na ndihmuar. Ka qenë një futbollist i madh dhe një motivator i jashtëzakonshëm. Jemi këtu duke kaluar nëpërmjet një grupi të vështirë dhe kemi marrë shumë komplimente, jo vetëm ne, por edhe stafi e trajneri. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!