EURO 2024/ Shqipëria nis përgatitjet në Kaiserau, stërvitja e parë ndaj Italisë zhvillohet e hapur për tifozët

schedule08:16 - 11 Qershor, 2024

schedule 08:16 - 11 Qershor, 2024

Kombëtarja shqiptare ka nisur të hënën me përgatitjet në tokën gjermane për ndeshjen e parë të Kampionatit Europian ndaj Italisë.

Skuadra ka zhvilluar gjatë së hënës dy seanca stërvitor në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau. Seanca stërvitore e pasdites ishte edhe më e veçanta, pasi ishte e hapur për të gjithë tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, për të ndjekur nga afër një seancë të plotë stërvitore të Kombëtares shqiptare.

Pavarësisht kushteve atmosferike tifozët shqiptarë ishin të shumtë dhe qëndruan deri në fund për të ndjekur nga afër stërvitjen e kuqezinjve nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Në këtë seancë të hapur stërvitore ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, falënderoi bashkinë e Kamen për mikëpritjen dhe theksoi se të gjithë bashkë do të bëjnë të pamundurën për të qenë një vlerë e shtuar në Europianin “Gjermani 2024”.

“Faleminderit bashkisë për pritjen dhe gjithë mbështetjen që na ka dhënë në organizimin e këtij grumbullimi. Të gjithë djemtë iu falënderojnë ju dhe çdo njeri që ka bërë maksimumin për pritjen e tyre këtu. Në emër të tyre unë ju garantoj që do të japim më të mirën për të qenë një vlerë e shtuar për Kampionatin Europian në Gjermani. Unë i ftoj edhe njëherë djemtë dhe uroj që ta shijojnë këtë Kampionat Europian, ta shijojnë mundin e djersës së tyre që kanë arritur deri këtu, për ne është historike. Këto janë djemtë që të gjithë shqiptarët i kanë bërë krenarë dhe çfarëdo që të bëjnë në Europian, çfarëdo rezultati që të marrin ne do të jemi krenarë për to, do t’i përqafojmë dhe përshëndesim në çdo moment. Faleminderit shumë të gjithëve dhe nder për mua që në emër të djemve do të vendosim një shënim në librin e artë të komunës. Faleminderit dhe stërvitje të mbarë” – tha Presidenti Duka.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen, falënderoi FSHF që përzgjodhi si kamp bazë për finalet e “Euro 2024” SportCentrum Kaiserau dhe i uroi suksese në Kampionatin Europian.

Në përfundim të seancës stërvitore i gjithë ekipi, stafi teknik dhe President Armand Duka, u përshëndetën me tifozët, dhanë autografe dhe bënë foto duke përmbyllur një pasdite me atmosferë fantastike në SportCentrum Kaiserau.

Ndërkohë skuadra ka kryer me sukses dy seancat stërvitore. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë stërvitur normalisht nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Sakaq, këtë të martë kombëtarja do të zhvillojë një seancë stërvitore që do të nisë në ora 17:00, ndërkohë që do të ketë edhe një konferencë për median me një nga lojtarët kuqezi që do të nisë në ora 13:45.

Ndeshja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Europian ndaj Italisë do të luhet të shtunën më datë 15 qershor në ora 21:00, në stadiumin e Dortmundit. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!