Është padyshim një mungesë që ndikon shumë tek ecuria e ekipit. “Të Kaltërit” e Italisë janë në ankth pas dëmtimit të Scalvini në ndeshjen e kësaj të diele të Atalanta ndaj Fiorentina, që u mbyll me rezultatin 2-3 në favor të “Violëve”, me mbrojtësin që shënoi një prej golave të skuadrës së Gian Piero Gasperini.
Scalvini është pjesë e listës së trajnerit Luciano Spalletti për ndeshjet e kampionatit Europian, Gjermani 2024, me mbrojtësin italian, që doli nga fusha e lojës në minutën e 84’-t të ndeshjes së fundit të sezonit 2023-2024 në Serie A, i ndihmuar nga stafi mjekësor.
Deri më tani nuk dihet se cila është shkalla e dëmtimit të 20-vjeçarit, por tekniku Luciano Spalletti pret me ankth lajme për mbrojtësin, duke qenë se nisja e Kampionatit Evropian është shumë pranë dhe në sfidën e parë do të përballen me “Legjionarët” e Kombëtares sonë. /i.m /abcnews.al