Paska qenë shumë më e vështirë sesa mendohej.
Është e sigurt që kombëtarja shqiptare do ta kryejë në Austri fazën përgatitore përpara Europianit, por ende ky vend nuk është përzgjedhur.
Kur duhen pak më shumë se dy muaj deri në fillimin e turneut në Gjermani, në Federatën Shqiptare të Futbollit ende janë në fazën e negociatave. Krejt ndryshe nga viti 2016, kur gjithçka u zgjidh më shpejt për ekipin e drejtuar nga trajneri De Biasi.
Sylvinho mësohet se vazhdon të ketë kërkesa tepër rigoroze, për të cilat nuk lëshon pe. Tekniku brazilian nuk ka kërkuar vetëm kushtet e duhura stërvitore, në fushë, palestër apo në çdo element tjetër përgatitor, por është marrë edhe me cilësinë e krevateve ku do të flenë lojtarët.
Jo vetëm kaq, por burime në Federatë pohojnë për televizionin se ai ka kërkuar që kompleksi stërvitor të ketë pishinë të brendshme, sipas standardeve që i bëjnë punë planeve të tij. Fillimisht, drejtoria e ekipeve kombëtare në Federatë kontrolluan 4 komplekse në Austri, që u cilësuan si më të përshtatshëm. Bazat stërvitore janë vizituar nga disa punonjës të Federatës, të shoqëruar nga një ndihmës i Sylvinho, ndërsa raporti i përgatitur është shqyrtuar nga braziliani.
Këto burime në Federatë informuan Abc-në se rrethi është ngushtuar, dhe se ka negociata me një qendër stërvitore në Austri, ndonëse emri I saj për momentin nuk jepet. Kombëtarja do të grumbullohet fillimisht në Tiranë në 23 maj, ndërsa në 30 nis stërvitja në Alpe, që do të vazhdojë deri në 7 qershor.
Sipas burimeve në Federatë, kostot priten të shkojnë në 500 000 euro.
Kuqezinjtë e kanë të sigurt bazën ku do të vendosen në Gjermani në qershor të këtij viti, ndërsa këto ditë në Dortmund ka shkuar përgjegjësi i ekipeve kombëtare, Dritan Babamusta, për të vëzhguar nga afër kushtet në kompleks./ h.ll/abcnews.al