EURO 2024/ Kroacia i nis “flakë” miqësoret, ballkanasit triumfojnë thellë ndaj Maqedonisë

schedule21:36 - 3 Qershor, 2024

schedule 21:36 - 3 Qershor, 2024

Ashtu si Kombëtarja jonë edhe Kroacia e Zlatko Daliç filloi përgatitjet e saj për Kampionatin Evropian me një fitore të pastër 3-0 ndaj Maqedonisë së Veriut, duke i shkaktuar maqedonasve humbjen e shtatë në tetë ndeshjet e fundit, në transfertë.

Në mungesë të “veteranit” të mesfushës, Luka Modric, për shkak të finales së Champions League, ndaj Borussia Dortmund, kapiteni i kroatëve në këtë duel ishte Mateo Kovacic, teksa për mesfushorin e Manchester City, kjo ishte ndeshja e 100-të me kombëtaren kroate.   

Eurogoli i Lovro Majer nga goditja e dënimit, i dhuroi epërsinë Kroacisë, ndërkohë që ishte sërish mesfushori i Wolfsburg, i cili në minutën e 45′-të, dyfishoi shifrat. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0, ndërkohë që në fragmentin e dytë të ndeshjes, për të “vulosur” triumfin mendoi Pasaliç në minutën e 79′-të.

Ndërkaq, kujtojmë se Kroacia është rivalja e Shqipërisë në Grupin B të Europianit, me dy Kombëtaret ballkanase do të ndeshen së bashku më 19 qershor në orën 15:00 në Hamburg, në një duel që pritet të jetë tepër i luftuar. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!