Euro 2020: Tetë ekipe në garë për trofeun, duele interesante në çerekfinale

schedule08:56 - 30 Qershor, 2021

schedule 08:56 - 30 Qershor, 2021

Janë përcaktuar tetë skuadrat më të mira të Euro 2020 dhe katër çiftet çerekfinale. Dy ditë pushim dhe të premten rinisin betejat. Në orën 18:00 të datës 2 korrik zbresin në fushë Zvicra dhe Spanja, përballje që do të zhvillohet në “Gazprom Arena” të Shën Petersburgut.

 

Katër çiftet çerekfinale

Tre orë më vonë supersfida Belgjikë-Itali. Dueli për një biletë në gjysmëfinale do të luhet në “Allianz Arena” të Mynihut. Dy ndër kombëtaret favorite për fitimin e Euro 2020, pritet të zhvillojnë një ndeshje të bukur dhe plot emocione.

Fituesit e këtyre dy çifteve do të ndeshen kundër njëra-tjetrës për një post në finalen e madhe. Dy takime interesante edhe të shtunën e 3 korrikut. Dita nis me Çeki-Danimarkë. Sfida për një post në katër skuadrat më të mira do të luhet në “Baku Olympic Stadium” të Bakusë, duke nisur prej orës 18:00.

Në darkë përballja Ukrainë-Angli. “Tre Luanët” janë favoritë dhe vijnë me moral të lartë pas suksesit me Gjermaninë, por djemtë e Shevchenkos janë gati të bëjnë surprizën. Ndeshja do të luhet në “Olimpico” të Romës (21:00). /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!