Presidenti i CONI (Komiteti Olimpik Italian) ka folur rreth situatës së futbollit në vend. Giovanni Malago ka prekur tema të ndryshme gjatë fjalës së tij, duke komentuar shtyrjen e Euro 2020 për një vit, gjendjen e Serie A dhe duke e mbyllur me kombëtaren e kaltër.
EURO 2020 – “Ne vazhdojmë të diskutojmë ende nëse ia vlen të zhvillohen ndeshjet pa tifozë, imagjinoni të kishim parë një kompeticion si Euro 2020 pa praninë e publikut, ndërkohë që ishin shitur biletat. Shtyrja ishte një veprim shumë i drejtë”.
SERIE A – “Është gabim shumë i madh të ndërhyjmë në punën e të tjerëve. Presidenti i Federatës (FIGC) duhet të marrë vendimin, ky është momenti i tij dhe duhet të vendosë. Të gjithë duhet të humbasin diçka. Do të ishte ideale të gjenim një mënyrë ku nuk do të kishte as fitues dhe as humbës, dhe futbolli të rinisej përsëri pavarësisht këtij sezoni”.
KOMBËTARJA – “Trajneri Mancini është një person që nuk merret shumë me llafe. E ka menduar e peshuar mirë diçka që thotë. Ai arrin të transmetojë entuziazmin e duhur në skuadrën kombëtare, që është e re në moshë, kështu që një vit më shumë eksperiencë është e rëndësishme dhe shumë e dobishme për Italinë”. /abcnews.al