Shqipëria synon ta nisë me fitore fushatën e kualifikueseve për në Botërorin “Katar 2022”. Kuqezinjtë ndeshen me Andorrën në transfertë, prej orës 20:45, dhe para këtij dueli ka folur për mediat kapitenit Etrit Berisha.
“Me siguri kemi bërë detyrën në Nations League dhe duhet të nisemi nga ai moment, kur treguam futboll të mirë. Morëm edhe fitore, sidomos në ndeshjet jashtë ku luajtëm mirë. Çdo ndeshje është e rëndësishme. Duhet përgatitur mirë dueli me Andorrën, që të mos lejojmë asnjë surprizë”.
“Trajner na ka treguar gabimet dhe ato kanë qenë për shkak të mungesës së përqendrimit. Mund të shmangeshin dhe nuk na lejohen nesër. Është ndeshje e parë dhe duhet përqendrim maksimal. Kjo ndeshje na jep motivim dhe qetësi në të ardhmen”.
“Morali do të jetë edhe më i madh, duke pasur parasysh që do të luajmë edhe me ekipe më të mirë. Normalisht edhe përgjegjësia. Kemi kualitete dhe duhet të përmirësohemi. Vullneti është i madh dhe do mundohemi të bëjmë surpriza sikurse edhe në të shkuarën”.
“Sigurisht është një ndeshje e rëndësishme, e njohim kundërshtarin. Kemi luajtur me Andorrën. Në ndeshjen në shtëpi bëmë disa gabime që nuk duheshin bërë. Nesër do jetë një ndeshje tjetër dhe do mundohemi të jemi të përqendruar dhe të përgatitur. Është shumë e rëndësishme për ne ta nisim me këmbë të mbarë”. /abcnews.al