Fondet e Investimeve për Klimën (CIF) do të mbështesin një plan prej 500 milionë dollarësh për të ndihmuar Etiopinë, e cila është e prekur nga thatësira, të rikuperojë tokat e degraduara, të mbrojë pyjet dhe të forcojë sigurinë ushqimore. Bordi i CIF miratoi një investim prej 37 milionë dollarësh nga programi i tij “Natyra, Njerëzit dhe Klima”, që pritet të mobilizojë 492 milionë dollarë të tjerë në bashkëfinancim nga investitorë të tjerë, përfshirë Bankën Botërore dhe Bankën e Zhvillimit të Afrikës.
Etiopia, ku shumica e njerëzve jetojnë në zona rurale dhe varen nga bujqësia, përballet me dëmtimet e rënda të tokës, me më shumë se gjysmën e vendit të prekur. Rreth 11 milionë hektarë janë në rrezik të shndërrohen në shkretëtirë. Fondet do të ndihmojnë në rikuperimin e 320,000 hektarëve të pyjeve të egra, tokave bujqësore dhe kullotave dhe gjithashtu do të krijojnë një regjistër online të pyjeve të vendit.
Programi ka për qëllim uljen e varfërisë, rritjen e produktivitetit bujqësor dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore.
Financimi do të mbështesë projekte që përqendrohen në mbjelljen dhe rigjallërimin e pyjeve, rigjenerimin e shëndetit të tokës, ruajtjen e ujit dhe bujqësinë e qëndrueshme. Pavarësisht se gjysma e fondeve janë angazhuar tashmë nga bashkëinvestitorët, pjesa tjetër pritet të vijë nga investitorë privatë dhe filantropikë. / abcnews.al