Në Shkodër janë numëruar 204 nga 411 kuti votimi në lidhje me votat preferenciale. Nga socialistët nuk ka garë, pasi tre të parët e listës kryesojnë edhe me vota, ç’ka e bën thuajse të pamundur thyerjen e herësit nga pjesa e poshtme e listës, por situata paraqitet krejt ndryshe te demokratët, shkruan abcnews.al.
Kjo mund të sjellë edhe lënien jashtë listës fituese të Ilir Beqjes, i cili renditet si numri 4 në Shkodër, ndërkohë që PS mori 3 mandate aty. Beqja ka 1 877 vota deri më tani, ndërkohë që i duhet të marrë pak më shumë se 10 000 vota për të thyer herësin.
Lexo edhe: LIVE/ Mësoni në kohë reale sa vota ka marrë secili kandidat në çdo qark
Por, situata paraqitet krejt ndryshe në kampin demokrat. PD mori 5 mandate në Shkodër duke lënë jashtë listës së fituesve ish-deputetin Bardh Spahia. Ky i fundit, i renditur si nr.7 në Shkodër, ka deri më tani 4 359 vota nominale. Spahisë i duhen pak më shumë se 9 400 vota për të thyer herësin në Shkodër duke rrezikuar Ramadan Likajn, i cili aktualisht ka 2 342 vota.
Në garë për të thyer herësin është edhe nr.6 i Shkodrës, Lodovik Hasani, i cili ka 3 505 vota. Edhe Hasanit i duhen pak më shumë se 9 400 vota totale për të thyer herësin.
Praktikisht, kur janë numëruar 204 kuti, Bardh Spahia duhet të nxjerrë edhe 5 042 vota për të thyer herësin, ndërsa Hasanit i duhen 5 896 vota.
Me këtë garë mes veti, Shkodra duket të jetë aktualisht qarku ku ka më tepër interes në lidhje me ecurinë e numërimit. /abcnews.al