Renova dhe Struga u ndanë në paqe një ditë më parë, por “Sportmedia.mk” raporton se klubi nga Tetova po mendon të kërkojë tre pikët në tavolinë. Pretendohet shkelja e rregullores nga skuadra mike, që në fushë nga minuta e parë kishte në fushë mbrojtësin Blerton Sheji.
Në Maqedoni është e detyrueshme që titullar të jetë një vendas nën 21 vjeç dhe Struga kishte zgjedhur lojtarin e linjës së majtë. Pretendimi i Renovës, sipas portalit të përmendur më lart, është se Sheji është lojtar i kombëtareve të moshave të Shqipërisë.
Në fakt mbrojtësi nuk ka pasaportë shqiptare dhe me Shqipërinë U20 dhe U21 është grumbulluar vetëm në ndeshje miqësore dhe nuk ka provuar të luajë një takim zyrtare me kuqezinjtë. Kështu, qartazi me letra Sheji është nga Maqedonia e Veriut dhe Struga nuk ka bërë asnjë shkelje.
Gjithçka shkruhet konfirmohet nga burime jo zyrtare dhe mbetet të shihet nëse Renova do ankimohet në FFM. Klubi nga Tetova nuk ka dalë me ndonjë deklaratë, sikurse edhe nga Struga nuk ka ndonjë reagim në lidhje me lajmin e publikuar në mediat e Maqedonisë së Veriut. /abcnews.al