“Është faji i Trump”! Amerikanët kritikojnë presidentin

schedule23:01 - 8 Janar, 2019

schedule 23:01 - 8 Janar, 2019

Shumica e amerikanëve fajësojnë presidentin Trump dhe kokëfortësinë e tij për bllokadën federale që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara. Një sondazh i realizuar në javën e parë të Janarit tregon se kuota e qytetarëve që kundërshtojnë strategjinë e kreut të shtetit është 51 për qind.

Sa vjen dhe rritet numri i amerikanëve që fajësojnë presidentin Donald Trump për bllokadaën e pjesëshme qeveritare, që ka lënë pa paga punonjësit e agjencive federale. Kështu thotë një sondazh i publikuar të martën nga agjencia e lajmeve “Reuters”, i realizuar në periudhën nga 1 deri më 7 Janar. Sipas anketës, 51 për qind e të rriturve besojnë se Trump meriton pjesën dërrmuese të fajit për bllokadën, që të martën hyri në ditën e 18. Bëhet fjalë për një rritje me 4 për qind krahasuar me kuotën e verifikuar në një sondazh të ngjashëm të kryer në datat nga 21 deri më 25 Dhjetor.

Ndërkohë, 32 për qind e të intervistuarve fajësojnë demokratët për bllokadën dhe 7 për qind republikanët. Përqindjet në fjalë janë thuajse të pandryshuara krahasuar me ato të verifikuara në anketat e kaluara. Trump ka premtuar se do të vazhdojë ta mbajë qeverinë pjesërisht të mbyllur derisa Kongresi të aprovojë financimin e murit në kufi me Meksikën. Për shefin e Shtëpisë së Bardhë, barriera është e nevojshme për të mbrojtur qytetarët amerikanë nga krimi dhe droga. Ndërkohë, demokratët që tashmë kanë marrë kontrollin e Kongresit refuzojnë të miratojnë financimin prej 5 miliardë dollarësh, me argumentin se barriera nuk do të ketë asnjë efekt pozitiv në aspektin e sigurisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!