Escobar në Shkup: Nuk jam këtu për tortura, duam t’ju shohim në BE

schedule14:38 - 25 Gusht, 2023

schedule 14:38 - 25 Gusht, 2023

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar të premten në Shkup se SHBA-ja e inkurajon Maqedoninë e Veriut që ta vazhdojë rrugën e integrimit evropian, pasi siç tha ai, “SHBA-ja dëshiron ta shohë këtë vend pranë strukturave evropiane”.

Ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, janë pjesë e Marrëveshjes së Shkupit me Sofjen, dhe kusht për Maqedoninë e Veriut për vazhdimin e bisedimeve me BE-në për anëtarësim në bllokun evropian.

Diplomati amerikan në Shkup është pritur nga presidenti i vendit Stevo Pendarovski dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, ndërsa do të ketë takim edhe me liderin e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Escobar ka thënë se shpreson që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, do të vazhdojë me procesin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Duam t’ju shohim në Bashkimin Evropian. Ju jeni anëtare e Këshillit eurotlantik, kështu që duam që të jeni sa më pranë strukturave evropiane. Më vjen mirë që ka nisur ky proces dhe shpresoj se do të vazhdojë”, ka deklaruar Escobar.

Diplomati amerikan tha se mesazhet e njëjta do t’ia përcjellë edhe kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili para takimit ka thënë se “Escobar është i mirëseardhur për t’i dëgjuar argumentet e tij kundër ndryshimeve kushtetuese, por jo edhe për presione dhe tortura kur bëhet fjalë për këtë çështje”.

Escobar tha se “partnerë natyralë” të SHBA-së do të jenë të gjithë ata që janë të përkushtuar për integrimin evropian, NATO-n dhe luftën kundër korrupsionit.

“Dua të them askush këtu nuk do t’iu nënshtrohet torturave. SHBA-ja nuk bën zgjedhjen e qeverive të anëtarëve të NATO-s. Megjithatë, ne kemi pritje dhe do ta përcjell mesazhin e njëjtë sikur në gjithë rajonin se, SHBA-ja i sheh si partnerë natyralë ata që janë të përkushtuar në integrimin evropian, në NATO dhe luftën kundër korrupsionit”./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!