Errësira dhe mungesat s’e trembin Kosovën, zbardhet plani i Challandes

schedule10:18 - 8 Tetor, 2020

schedule 10:18 - 8 Tetor, 2020

Brohoritje në kufi, 20 minuta pa drita në stadium dhe mungesa të rëndësishme. Kosova, edhe pse nuk ka yje si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, nuk do të ndalet sonte kundër Maqedonisë së Veriut.

E sigurt që djemtë e drejtuar nga Bernard Challandes do të japin maksimumin. Kushdo që të luajë. Nuk është thjesht një ndeshje futbollit, pasi lojtarët e ndjejnë peshën e përgjegjësisë dhe e kanë të madhe dëshirën që popullit dardan t’i dhurojnë emocione pozitive.

Vuajtjet i përkasin së shkuarës dhe djemtë e Kosovës, rritur e formuar rrugëve të Europës, janë gati të tentojnë historinë. Prej orës 20:45 ata do të zbresin në fushë të japin më të mirën kundër Maqedonisë së Veriut dhe të shkojnë në finalen e Nations League, në Ligën D.

Trajneri Challandes ka pasur dilemat e tij në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë nga fillimi, pasi mungesat janë disa. Një prej tyre është nëse nga fillimi do të luajë Zhegrova, apo Hadërgjonaj.

Edhe për sulmin tekniku zviceran duhet ta ndajë mendjen. Kololli si sulmues i fshehur e tundon si ide, ndërkohë që ka edhe Nuhiun në dispozicion. Në mbrojtje Vojvoda e Aliti janë të sigurt, ndërsa Dresevic pritet në qendër.

Krahu i majtë varet nga sulmuesi kryesor i skuadrës. Për qendrën e mesfushës nuk ka pikëpyetje, me Shalën e Berishën që pritet ta nisin nga fillimi. Celina e Zeneli gjithashtu janë planifikuar si titullarë.

KOSOVA, formacioni i mundshëm: Muric, Vojvoda, Aliti, Dresevic, Kololli, Berisha, Shala, Zhegrova (Hadergjonaj), Celina, Zeneli, Nuhiu. Trajner: Bernard Challandes

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!