Erozion i besimit ndaj qeverisë në Gjermani – me pasoja?

schedule10:20 - 8 Qershor, 2019

schedule 10:20 - 8 Qershor, 2019

CDU/CSU dhe SPD shënojnë në një sondazh të fundit nga kuotat më të ulëta në preferencën e popullit. Industrialistët kritikojnë punën e qeverisë. Politika e brendshme gjermane dikton vendimet shkruan Auron Dodi.

Një valë pakënaqësie goditi këtë javë, në sondazhe dhe në forume, qeverinë gjermane, të përbërë nga CDU/CSU dhe SPD. Të dyja aleatet në qeveri shënojnë në sondazhin “Tendenca e Gjermanisë” (“Deutschlandtrend”) të ARD-së nga kuotat më të ulëta në preferencën e popullit. Kurse të Gjelbrit shfaqen në një matje opinioni madje përpara CDU/CSU. Sipas këtij sondazhi, po të zhvilloheshin zgjedhje të dielën në Gjermani, të Gjelbrit do të merrnin 26 përqind të votave, kurse CDU/CSU vetëm 25 përqind. Edhe nëse një sondazh tjetër e sheh CDU/CSU përpara të Gjelbërve, rezultatet ranë si shok te partitë më të fuqishme të Gjermanisë.

Kësaj i shtohet fakti, që kryetarja e re e CDU-së sipas sondazhit ka dhe më tej një fillim të vështirë në post. Me punën e Annegret Kramp-Karrenbauerit (AKK), që shihet si pasardhëse e kancelares Merkel, janë të kënaqur vetëm 24 përqind e gjermanëve, përballë Merkelit, që preferohet nga 53 përqind e gjermanëve. Madje vetëm 13 përqind e gjermanëve sipas këtij sondazhi e përfytyrojnë për momentin AKK si kancelare.

Po këtë javë, përfaqësues të industrisë gjermane deklaruan se e “kanë humbur besimin te qeveria”. Qeveria gjermane i dëmton sipërmarrjet, u shpreh në takimin vjetor kryetari i Shoqatës Federale Gjermane të Industrisë, Dieter Kempf. Kempf tha më tej, se qeveria ka dështuar të zbatojë politika, që do ta ndihmonin industrinë të përgatitet për një rënie eventuale të ekonomisë gjermane. Në vend të kësaj merret me “rishpërndarje” të të ardhurave.

Politika e brendshme gjermane dikton vendimet

Përfaqësuesit e industrisë kërkuan edhe uljen e taksave për sipërmarrjet, nga 35 përqind sa është, në 25 përqind. Mesatarja evropiane është 22 përqind. Ata i thanë kancelares Merkel, se mungesa, sipas tyre e stabilitetit politik në Gjermani – me diskutimin për shpërbërjen e koalicionit qeveritar – heq vëmendjen nga reformat e nevojshme ekonomike.

Nëse për të ardhmen e pasigurt të qeverisë së koalicionit deri dje shiheshin përgjegjës socialdemokratët, që pas dorëheqjes së kryetares Andrea Nahles edhe mund të dalin nga koalicioni, tani duket se CDU-së duket se po i lëkunden vetë pozitat. Kjo kur sa ka nisur në forumet e partisë analiza e rënies së partisë në zgjedhjet evropiane. Sipas sondazhit “Tendenca e Gjermanisë”, 72 përqind e gjermanëve janë pak ose aspak të kënaqur me qeverinë. Mendojnë se nuk i kupton si duhet interesat e tyre. Ky fakt karakterizon debatin në radhët e CDU-së konservatore: si mund të afrohen zgjedhësit? Por veç zhvendosjes edhe më tej nga e djathta, pra theksimit edhe të vendimeve te profilit konservator, nisur nga AKK, për momentin pakkush duket se di si të veprojë më ndryshe. E lehtë kjo nuk është, pasi CDU-ja vitet e fundit ka theksuar politikat e preferuara nga mesi i shoqërisë.

Kancelarja Merkel vë përpara fakte

Fakt është që Gjermania qeveriset nga një koalicion mes konservatorëve të CDU/CSU dhe socialdemokratëve. Një sërë politikash ekonomike diktohen nga ky fakt. Fakt është që CDU është përpjekur ta ulë taksën për personat me të ardhura të larta. Dhe të heqë menjëherë taksën e solidaritetit me Lindjen e Gjermanisë. Por këto janë bllokuar nga socialdemokratët në qeveri.

Në takimin vjetor të biznesit me industrialistët, kancelarja Angela Merkel kujtoi se për të ndihmuar sipërmarrjet, qeveria hartoi ligjin për imigrimin e punonjësve të huaj të kualifikuar. Ajo tha se qeveria po investon para në inteligjencën artificiale. Dhe po planifikon ulje taksash për investime në kërkime shkencore. Ajo i kritikoi nga ana e saj sipërmarrjet e mesme, se janë shumë të ngadalta në digjitalizim dhe në ruajtjen e të dhënave në clouds, në re.

A u jep të drejtë industrialistëve ulja e zhvillimit ekonomik të Gjermanisë?

Po edhe jo. Më kujtohet mirë viti 1998, kur të njëjtat kritika industrialistët dhe madje socialdemokratët e Gerhard Schröderit ia bënë qeverisë që ndërruan, të Helmut Kohlit. E kritikuan se nuk kishte kapur sinjalet e kohës për sipërmarrjet. Po atëherë ekonomia gjermane ishte në gjendje të vështirë, Gjermania kishte probleme strukturore ekonomike. Shihej si “e sëmura e Evropës”. Kurse këtë vit, sipas disa burimeve, ekonomia gjermane pritet të rritet me 0,5 përqind, nga 1,4 përqind rritje vitin e kaluar.

Por ndoshta ekonomia gjermane ndodhet “në fund të një cikli zhvillimi”, siç u shpreh këto ditë politikani me përvojë të gjatë i Gjermanisë, Wolfgang Schäuble. Gjermania nuk ndodhet “në fund të modelit të saj të zhvillimit”, siç u shpreh para tij, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për Gjermaninë.

Sa e cënojnë socialdemokratët stabilitetin e qeverisë federale?

Andrea Nahles, ish-kryetarja e Partisë Socialdemokrate dhe e Grupit Parlamentar ishte mbështetësja kryesore, që socialdemokratët të qendrojnë në qeveri me CDU/CSU. Një treshe politikanësh, që i drejton përkohësisht socialdemokratët janë shprehur pro qendrimit në koalicion.

Bashkëkryetarët e Të Gjelbërve: Annalena Baerbock dhe Robert Habeck

Por po të shtohen shumë zërat kritikë për dalje, nga baza socialdemokrate, kjo edhe mund të ndryshojë. Nga ana tjetër, rënia me 11 përqind në zgjedhjet evropiane, nuk premton kohë të mira së afërmi, për socialdemokratët. Prandaj ata ngurrojnë të dalin nga qeveria – gjë që eventualisht mund të sillte zgjedhje të reja në Gjermani edhe para vitit 2021, kur ato mbahen rregullisht.

Zgjedhje të reja të parakohshme në Gjermani?

Përballë krizës së koalicionit, 52 përqind, pra një shumicë e të pyeturve nga instituti demoskopik YouGov, janë për zgjedhje të parakohshme. Por tek partitë, dëshira për zgjedhje nuk është e madhe. Në matjen e pulsit të votuesve në zgjedhjet evropiane të majit, me përjashtim të të Gjelbërve, të gjithë të tjerët patën rënie.

Po të mbahen zgjedhje, Të Gjelbrit që morën në zgjedhjet evropiane 20 përqind, mund ta rrisin mbështetjen dhe të kenë bazë më të fortë për negociata qeveritare. Por ata e lënë hapur edhe mundësinë e futjes në një qeveri me CDU/CSU-në. Pro futjes në qeveri duket se janë tani edhe liberalët e FDP-së.

Sido që të vejë puna, po të dalin socialdemokratët nga qeveria, deri tani ata nuk formojnë dot një shumicë për një qeveri të re, me Të Gjelbrit dhe partinë e Majta. Kështu që megjithë goditjet e marra dhe sondazhin e fundit, në të gjitha përllogaritjet aktuale CDU/CSU pritet të mbetet në pushtet./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!