Eros Grezda shënon golin e tretë të sezonit, del fitues në fushën e Rijekes, kampiones së Kroacisë

schedule13:00 - 23 Tetor, 2017

schedule 13:00 - 23 Tetor, 2017

Futbollisti I kombëtares shqiptare, Eros Grezda, vazhdon të shkëlqejë në Kroaci. Ai ndihmoi ekipin e tij të fitonte në fushën e kampionëve dhe shpreson të kalojë në ndonjë skuadër të madhe sezonin e ardhshëm

Ishte ky goli i tij i tretë i sezonit në ligë.

Eros Grezda arriti një fitore të madhe në fushën e kampionëve të Kroacisë, duke vazhduar shkëlqyeshëm një edicion të nisur në mënyrën më të mirë.

Futbollisti i kombëtares shqiptare ishte ai që barazoi rezultatin për Osijekun në stadiumin e Rijekës, duke nisur përmbysjen e madhe.

I transferuar aty që nga Lokomotiva e Zagrebit, për të provuar kupat e Europës, Grezda tregoi se ka bërë zgjedhjen e duhur.

Shqiptari i Kosovës ka qenë vendimtar edhe në përballje shumë të forta, si ajo ndaj Hajdukut fituar 2-1 në minutën e fundit pikërisht me golin e tij.

Tashmë, Osijeku është në vend të katërt, me 24 pikë, baraz me Hajdukun dhe 1 pikë larg vendit të dytë.

Pas ndeshjes, Grezda postoi në faqen e tij në FB pikërisht lajmërimin e faqes zyrtare të Osijekut: Fundi I ndeshjes dhe fitore e madhe në Rujevicë.

Sezoni ka nisur më së miri edhe me kombëtaren e Shqipërisë, ku 22-vjeçari po aktivizohet rregullisht nga trajneri I ri Kristian Panuçi.

Ai ka tërhequr vëmendjen e klubeve të Serisë A, dhe besohet se u vëzhgua me interes në përballjen Shqipëri-Itali, siç e pohojnë edhe mediat në anën tjetër të Adriatikut.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!