Federata e Futbollit në Maqedoninë e Veriut nuk lejon asnjë miqësore në vendin fqinj, nëse të gjithë lojtarët dhe stafet nuk bëjnë testet për COVID-19, si dhe të zbatojnë një protokoll sigurie që të mos rrezikohet përhapja e virusit.
Klubet kanë nisur të bëjnë testet dhe pas nuk ka ngelur as Shkëndija e Tetovës, që drejtohet nga trajneri Ernest Gjoka. Ky i fundit, së bashku me stafin e tij, si dhe të gjithë futbollistët, kanë bërë sot tamponët dhe asnjë nuk ka dalë me koronavirus.
Vetë Shkëndija e Tetovës e ka konfirmuar diçka të tillë përmes një komunikate të publikuar në faqen zyrtare: “Shkëndija i ka dhënë fund qëndrimit një javorë në Mavrovë dhe pas një dite të lirë, futbollistët nga e marta kanë vazhduar seancat stërvitore në Tetovë.
Duke ndjekur rekomandimet e protokollit shëndetësorë të FFM-së për zhvillim të stërvitjeve dhe ndeshjeve, komplet skuadra kuqezi, stafi teknik dhe të punësuarit në klub, u janë nënshtruar testeve për COVID-19. Për fat të mirë rezultatet janë negative, kështu që ekipi me formacion të plotë mund të vijojë aktivitetet e parapara për periudhën që pason”. /abcnews.al