Ermir Lenjani shënon gol

schedule21:07 - 28 Tetor, 2018

schedule 21:07 - 28 Tetor, 2018

Ermir Lenjani po kalon një formë shumë të mirë në Zvicër. Futbollisti i kombëtares shënoi gol, ndonëse skuadra e tij humbi.

Ishte dita e Ermir Lenjanit, por jo e Sionit. Futbollisti i kombëtares shqiptare bëri një paraqitje për t’u mbajtur mend, ndërsa skuadra e tij pësoi një humbje që vështirë se mund të harrohet. Lenjani kaloi në epërsi Sionin në fushën eYoung Boys-it që në minutën e 17-të.

Kontributi i shqiptarit nga Kosova nuk përfundoi me aq, sepse ishte pikërisht ai që solli edhe golin e dytë, në minutën e 28-të. Këmbëngulja e Lenjanit bëri që Kamara ta devijonte topin për në rrjetën e portës së tij. Epërsia 2-0 gjithsesi nuk i mjaftoi Sionit në këtë sfidë të javës së 12-të të Superligës së Zvicrës.

Madje, pas pushimit, Lenjanit iu kthye fati në të kundërt, pasi ishte ai vetë që devijoi për në rrjetë një top që solli barazimin e rezultatit në 2-2. Në sekondat e fundit, Young Boys arriti edhe fitoren e pashpresuar, me anë të Sanogosë, duke mbajtur me forcë vendin e parë në renditje, me 31 pikë, plot 11 pikë më shumë sesa Bazeli.

Sioni në të kundërt është fare pranë fundit, me vetëm 11 pikë, por gjithsesi për tifozët e kombëtares shqiptare rëndësi ka fakti se Lenjani është kthyer në formë, po luan me minutazh të plotë, dhe madje po shënon edhe gola./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!