Antonio Conte ka folur gjerë e gjatë për Interin e tij. Italiani nuk shmanget edhe kur i përmendin Christian Eriksen dhe faktin që ai është një lojtar teknik. Përgjigja e tij është e qartë, sikurse edhe ajo çka thotë për Arturo Vidal apo për të riun Bastoni që e ka ftuar kombëtarja e Italisë. Merkato gjithashtu ishte në fokusin e Contes, ndërkohë që pyetet edhe në lidhje me raportin që ka me presidentin Steven Zhang.
ERIKSEN – “Lojtarët duhet të jenë në funksion të një ideje dhe projekti, në mënyrë që të jemi kompetitivë në rang kombëtar dhe ndërkombëtar. Futbollisti modern duhet të jetë i shpejtë, i fortë, rezistent. Nëse bashkohesh me Interin teknika merret e mirëqenë. Të gjitha zgjedhjet që bëj janë gjithmonë në të mirë të Interit dhe të një lojtari të vetëm”.
VIDAL DHE BASTONI – “Vidal është lojtar i shkëlqyer, ai e di gjithmonë se çfarë të bëjë në fushë. I duheshin dy javë stërvitje me grupin, por ne po luajmë vazhdimisht dhe i duhet të fitojë formën më të mirë duke luajtur. Arturo nuk vihet në diskutim. Sa i takon Bastonit, një trajner duhet të ketë vizion dhe ta shohë një lojtar dhe të arrijë në përfundimin se çfarë mund të bëhet ai”.
PROBLEMET E TRAJNERËVE – “Trajnerët nuk janë të kënaqur asnjëherë, nuk e dini? Kurrë nuk do ta gjesh një trajner të kënaqur dhe më besoni për këtë. Secili prej nesh ka një situatë për të rregulluar, një rol që do ta mbulojë ndryshe, disa lojtarë për t’i përshtatur. Ka qenë një merkato e vështirë, si për të blerë lojtarë ashtu edhe për të shitur. Klubi ishte i qartë, duke më thënë se do të blinte në varësi të atyre që do shiste. Detyra ime është të punoj dhe të përmirësoj ekipin që kam”.
RAPORTI ME STEVEN ZHANG – “Ai është një person jashtëzakonisht i përgatitur, i vendosur dhe i sinqertë. Interi tani është pjesë e jetës së tij. Edhe kur është në Kinë na bën të ndjejmë mbështetjen e tij. Klubi vjen i pari dhe unë punoj gjithashtu për të rritur dhe përmirësuar strukturat. Është e drejtë që të gjithë të punojmë në funksion të klubit. Kjo është arsyeja pse unë mund t’ju siguroj që kushdo që do të vijë pas meje do të përfitojë nga puna e thellë që po bëjmë.
Është një rrugë e gjatë përpara për t’u bërë fitues. Konkurrentët tanë janë të fortë. Napoli, sa për të përmendur një, është bërë shumë i fortë. Për të mos përmendur pastaj Juventusin. Imazhi i Interit ka ndryshuar dhe kjo do të thotë që kemi bërë një punë të mirë. Ndeshjet kundër nesh përgatiten ndryshe. Kundërshtarët japin më të mirën ndaj nesh. Ky kampionat madje është më i vështirë se i shkuari”. /abcnews.al