Eksperti i sigurisë, Faik Basha thotë biznesmeni i arrestuar, Ergys Agasi nuk ka fuqi dhe ndikim në segmente të shtetit shqiptar, ashtu sikurse pretendonte opozita.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Basha u shpreh se SPAK duhet të hetojë rrjedhjen e informacionit për çështjen e ish drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit.
Basha shtoi se PS dhe qeveria nuk i ka dalë në mbrojtje zyrtarëve që janë nën hetim nga drejtësia.
“E kemi dëgjuar pa fakte të provuara që Ergys Agasi kishte influencë në drejtim të fuqisë së pushtetit dhe ndikimit që kishte brenda PS. Sot që e kemi panoramën më të qartë, lexojmë se Ergys Agasi nuk ka pasur kaq pushtet, kaq fuqi. Opozita kishte interesin për të krijuar figura që kishin marrë peng segmente të shtetit shqiptar.
Kur shohim se ky person u shpall në kërkim dhe u arrestua, jemi gjithmonë në dyshime, asgjë nuk është e provuar. Nuk mund të akuzoj as SPAK, sepse është institucion i gjerë, ku punojnë shumë veta. Është me rëndësi edhe rrjedhja e informacionit. Besoj se në disa raste, SPAK ka hapur hetime për rrjedhje të informacionit. Në lidhje me personin që ndodhet i arrestuar dhe ish drejtuesja e SHISH e cila ndodhet në arrest shtëpie, besoj se PS dhe qeveria, e bëri të qartë që me shkarkimin ditën e parë që ndodhi ngjarja, bëri propozimin për shkarkim. Ky është lajm i mirë. Thuhet shpesh që persona të caktuar kanë pushtet dhe mbrojtje të qeverisë, por kjo nuk ka dalë.
Kryeministri Rama, kur u kthye nga SHBA, me deklaratën që bëri në Rinas u preu shpresat dhe pritshmëritë dembelëve opozitarë, të cilët kërkojnë që pushtetin ta fitojnë kur kryeministri jep dorëheqjen. Dembelë që nuk ndërtojnë një strukturë, një vizion për t’u dalë qytetarëve përballë. Nuk mund ta marrësh pushtetin se ky nuk qeveris, sipas mendimit tënd. Unë besoj se qytetarët e kuptojnë se këta nuk ka kapacitete për ta drejtuar. Jemi përballë disa mesazheve të dala, ne nuk mund të flasim as për fajësi. Këto janë hipoteza që qëndrojnë”, theksoi ai./abcnews.al


