Erdogan: Vrasja e gazetarit ishte e planifikuar dhe politike

schedule12:29 - 23 Tetor, 2018

schedule 12:29 - 23 Tetor, 2018

Presidenti turk, Erdogan tha se vrasja e gazetarit Khashoggi nga Arabia Saudite ishte e planifikuar dhe politike. Ai kërkoi që 18 të dyshuarit të gjykohen në Stamboll.

Ashtu siç premtoi, presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan gjatë një fjalimi në mbledhjen e partisë së tij Drejtësi dhe Zhvillim në godinën e parlamentit, u shpreh lidhur me vrasjen e gazetarit saudit në konsullatën arabe në Stamboll. Kreu i shtetit nënvizoi se ekzekutimi i bashkëpunëtorit të Uashington Post ishte i planifikuar dhe politik. Ai kërkoi që përgjegjësit të gjykohen në Stamboll.

Rexhep Tajip Erdogan, President i Turqisë: “Vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi ishte e planifikuar prej ditësh dhe për këtë prova shumë të forta. Të gjitha informacionet dhe provat që janë zbuluar tregojnë se ai ishte viktimë e një vrasjeje brutale. Është e qartë që gazetari Jamal Khashoggi nuk u largua kurrë nga Konsullata Saudite. Ekipi saudit eksploroi pyllin në Belgrad te Stambollit dhe në provincën Yalova përpara vrasjes së gazetarit”.

Më tej Erdogan nënvizoi se se tashmë Konventa e Vjenës me gjasë të madhe do të vihet në diskutim, duke shtuar se, “Konventa e Vjenës nuk do të lejonte të ndodhte një vrasje e tillë ‘brutale’ në një ndërtesë konsullate”.

“Qeveria e Arabisë Saudite zyrtarisht pranoi për vrasjen e Jamal Khashoggit 17 ditë pas vrasjes së tij. Qeveria e Arabisë Saudite duke e pranuar vrasjen, hodhi një hap të rëndësishëm. Pas kësaj, prej tyre presim që me sinqeritet të nxjerrin në pah të gjithë përgjegjësit dhe t’i dënojnë para ligjit”.

Presidenti turk theksoi se kërkesa e tij është që 18 personat e lidhur me vrasjen Khashoggi të gjykohen në Stamboll. Sipas tij, nëse deklarata se kufoma e Khashoggit i është dhënë bashkëpunëtorit të brendshëm është e saktë, atëherë Rijadi duhet të tregojë se kush është ai. Presidenti turk gjithashtu theksoi se “fajësimi i vetëm disa pjesëtarëve të sigurisë dhe inteligjencës për Khashoggin nuk është i kënaqshëm për Turqinë dhe as për komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë, përpara fjalimit të Erdogan, hetuesit turq zbuluan se Saud Al Qahtani, këshilltar i ngushtë i princit Mohammed Bin Salman, ka drejtuar operacionin në të cilin u vra bashkëpunëtori i Uashington Post, përmes skajpit. Për inteligjencën turke, presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka në dorë regjistrimet që provojnë prezencën e tij virtuale të paktën në pjesën fillestare të ndërhyrjes së ekipit të ashtëquajtur të vdekjes. Qahtani, përgjegjës për komunikimin në rrjetet sociale të princit trashëgimtar të kurorës, kishte urdhëruar agjentët sekretë sauditë: “Më sillni kokën e atij qeni”. Qahtani, i cili është mes 5 zyrtarëve të lartë të larguar nga Kurora Mbretërore fundjavën e kaluar për dyshime të implikimit në vdekjen e gazetarit, kishte fyer Khashoggi-n dhe ky i fundit i ishte përgjigjur. Më pas Qahtani kishte urdhëruar vrasjen, e cila ndodhi me 2 tetor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!