Përfundimi i marrëveshjes së grurit të Detit të Zi, siç u njoftua këtë javë, do të godiste rëndë në shumë mënyra, paralajmëroi presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, duke shtuar se Turqia tashmë po punon për ta parandaluar këtë.
“Përfundimi i nismës së grurit të Detit të Zi do të ketë një sërë efektesh, duke filluar nga rritja e çmimeve globale të ushqimeve, në disa rajone deri te mungesa e bukës dhe më pas valët e reja të migrimit. Ne nuk hezitojmë të marrim iniciativën për ta parandaluar këtë”, u tha Erdoğan gazetarëve të enjten në avionin presidencial që kthehej nga turneu që pati këtë javë në tri vende të Gjirit.
“Unë besoj se duke diskutuar çështjen në detaje me presidentin rus Vladimir Putin, do të sigurojmë vazhdimin e kësaj lëvizjeje humanitare”, shtoi ai, duke lënë të kuptohet roli unik i Turqisë si një vend me marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, që e ndihmuan atë të ndërmjetësonte marrëveshjen në fillim së bashku me OKB-në.
Më 17 korrik, Rusia pezulloi pjesëmarrjen e saj në marrëveshje, të cilën e nënshkroi korrikun e kaluar së bashku me Turqinë, OKB-në dhe Ukrainën për të rifilluar eksportet e drithit nga tri porte ukrainase të Detit të Zi, të ndërprera pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt. Por edhe gjatë rinovimit të marrëveshjes në muajt e kaluar, Moska është ankuar se pjesa ruse e marrëveshjes nuk po zbatohej.
Erdoğan tha se Putin ka pritshmëri nga vendet perëndimore për marrëveshjen e drithit, duke shtuar se “vendet perëndimore duhet të ndërmarrin veprime në këtë drejtim”.
Sipas marrëveshjes historike, më shumë se 33 milionë tonë drithë u dërguan nga portet e Ukrainës, duke parandaluar një krizë globale ushqimore, tha ai, duke shtuar se “vazhdimi i një nisme kaq jetike për sa u përket rezultateve të saj është në dobi të njerëzimit”.
Erdoğan mohoi zërat se rëndësia e Turqisë në ndërmjetësimin midis Rusisë dhe Ukrainës ka rënë.
“Përkundrazi, ne po ruajmë aktualisht marrëdhëniet tona me Rusinë. Si ministri i Jashtëm Hakan Fidan, ashtu dhe kreu i (Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës) MIT-it Ibrahim Kalın, po i vazhdojnë negociatat e tyre”, shtoi presidenti turk.
Bisedimet me Putinin
Presidenti shtoi se së shpejti mund të ketë një telefonatë me Putinin pa pritur një takim të mundshëm në gusht.
Më parë, Erdoğan ka thënë se Putin pritet të vizitojë Turqinë në gusht për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale, duke përfshirë marrëveshjen e grurit të Detit të Zi.
“Rusia gjithashtu ka disa pritshmëri. Nëse këto përmbushen, Rusia është në favor të funksionimit aktiv të këtij korridori të grurit”, shtoi ai.
Turqia do të përdorë të gjitha mjetet e saj diplomatike për t’u siguruar që marrëveshja e grurit të Detit të Zi të rifillojë, tha ai, duke shtuar se “është arritur një konsensus që i shërben njerëzimit në një mjedis lufte dhe ne do të bëjmë çmos për ta ruajtur atë”.
“Unë besoj se ne do të sigurojmë vazhdimin e Iniciativës së Grurit të Detit të Zi përpara se procesi të zgjatet”, u shpreh Erdoğan.
Turqia, e vlerësuar ndërkombëtarisht për rolin e saj unik ndërmjetësues midis Ukrainës dhe Rusisë, i ka bërë vazhdimisht thirrje Kievit dhe Moskës që t’i japin fund luftës nëpërmjet negociatave.