Erdogan tërhiqet nga vendimi për shpalljen non grata të ambasadorëve

schedule08:40 - 26 Tetor, 2021

schedule 08:40 - 26 Tetor, 2021

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan është tërhequr nga kërcënimi për shpalljen non grata të 10 ambasadorëve perëndimorë.

Erdogan tha “ambasadorët janë tërhequr nga qendrimet e tyre” dhe se “në të ardhmen do të jenë më të kujdesshëm”. Kjo u lexua si një deklaratë që po tërhiqej nga vendimi i tij.

Në fundjavë Erdogan shkaktoi një skandal kur deklaroi, se dhjetë ambasadorë perëndimorë do t’i shpallë persona të padëshiruar – nga protestat kundër deklaratës së tyre të solidaritetit me sipërmarrësin dhe mbështetësin e kulturës Osman Kavala, që mbahet në burg. Me shpalljen e person non grata zakonisht pason dëbimi i personave nga vendi. Të prekur nga ky qendrim ishin ndër të tjerë ambasadori gjerman Jürgen Schulz dhe kolegët e tij nga Franca, SHBA-ja dhe shtatë vende të tjera. 64-vjeçari Kavala ndodhet në arrest hetimor në Stamboll që nga viti 2017, ndonëse Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ka udhëzuar më 2019 lirimin  e tij. Kavala është gjithashtu themeluesi i degës turke të fondacionit Shoqëria e Hapur të filantropit nga SHBA George Soros, i cili është në shënjestër prej shumë populistëve.

Lexo edhe: Erdogan kërkon shpalljen “non grata” për 10 ambasadorë të perëndimit: Kërkuan lirimin e një aktivisti

Para kësaj deklarate të Erdoganit, ambasadorët e prekur patën postuar në Twitter një deklaratë, sipas së cilës ata i përmbahen Konventës së Vjenës për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të vendit ku kryejnë shërbimin. “Qëllimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë”, thanë ata. Përfaqësia e SHBA-së në Turqi të hënën pasdite (25.10) publikoi në Twitter një deklaratë për respektimin e Konventës së Vjenës. “Synimi ynë nuk ishte të shkaktonim një krizë”, u shpreh më tej Erdogan. “Ne kishim për qëllim të mbronim të drejtat e sovranitetit të Turqisë”.

Të 10 ambasadorët përfaqësojnë aleatët e NATO-s, partnerët tregtarë dhe anëtarët e Bashkimit Evropian. Ankaraja është një vend kandidat për në BE, por bisedimet e anëtarësimit kanë qenë praktikisht të ngrira për vite me rradhë.

“Gjyqësori turk nuk merr urdhra nga askush dhe nuk është nën komandën e askujt”, tha Erdogan në komentet televizive. “Qëllimi ynë nuk është absolutisht të krijojmë krizë, por të mbrojmë ligjin, nderin, interesat dhe të drejtat tona sovrane.” Fahrettin Altun, drejtori i komunikimit i Turqisë, paralajmëroi më vonë Ankaraja nuk do të përmbahej nga ndërmarrja e veprimeve të mëtejshme.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!