Erdogan sërish sëmurë, anulon takimet e planifikuara

schedule11:34 - 28 Prill, 2023

schedule 11:34 - 28 Prill, 2023

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mund të vazhdojë fushatën e tij zgjedhore por me kufizime, për shkak të problemeve  shëndetësore. Presidenti vendosi të mos marrë pjesë në inaugurimin e planifikuar të sotëm të një ure në Adana, në jug të Turqisë.

Megjithatë, ai do të marrë pjesë në inaugurim përmes videokonferencës nga zyra e tij. Erdogan ka zhvilluar një fushatë me një ritëm intensiv dhe zakonisht bënte tre dalje publike në ditë.

Por presidenti 69-vjeçar në largim u sëmur të martën mbrëma, dy javë para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale. Ai u detyrua të ndërpresë një intervistë të drejtpërdrejtë televizive për shkak të një shqetësimi në stomak dhe më pas pezulloi fushatën e tij zgjedhore.

Ditën e djeshme, ai u shfaq shkurtimisht në një video-konferencë me presidentin rus Vladimir Putin, në të cilën presidenti turk u duk i zbehtë. Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca tha se Erdogan kishte probleme me stomakun dhe kishte nevojë për pushim.

Sondazhet e fundit tregojnë për një betejë kokë më kokë midis Erdogan dhe rivalit të tij kryesor për presidencën, liderit të opozitës Kemal Kilicdaroglu.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!