Erdogan në Moskë, pritet me lëvdata nga Putin

schedule19:15 - 23 Janar, 2019

schedule 19:15 - 23 Janar, 2019

Partneriteti Moskë-Ankara, që e ka shtrirë ndikimin e tij edhe në Ballkan, sa vjen e konsolidohet dhe politikat e dyshes Putin-Erdogan kryesisht për Sirinë dhe zgjerimin e marrëdhënieve tregtare po japin rezultat.

Presidenti turk Recep Taip Erdogan u takua të mërkurën në Moskë me presidentin rus Vladimir Putin, takimi i tyre i parë kokë më kokë për vitin 2019. Dy liderët shkëmbyen pikëpamje mbi çështjet rajonale dhe ato ndërkombëtare, duke u ndaluar veçanërisht tek Siria dhe marrëdhëniet dypalëshe. “I dashur president, ju jam mirënjohës që vini në Moskë.

Ne do të vazhdojmë takimet tona të rregullta, konsultimet dhe shkëmbimin e pikëpamjeve. Do të doja të theksoja se këto procese kanë dhënë tashmë rezultat”, tha Putin duke pritur Erdogan. Ai nënvizoi se në 10 muajt e fundit të vitit 2018, tregtia dypalëshe është rritur më shumë se i gjithë viti parardhës.

Putin vuri gjithashtu në dukje se, rritja e numrit të turistëve rusë në Turqi, me 30 për qind vitin e kaluar, tregon se qytetarët e dy vendeve e perceptojnë ndryshimin në marrëdhëniet ruso-turke. “Miku im i dashur, kjo është merita jote dhe arritja jote personale, sepse ti je përkushtuar personalisht në këtë drejtim”, vijoi kreu i Kremlinit lëvdatat e tij.

Nga ana e tij, Erdogan theksoi se zhvillimi i sektorit turistik në Turqi ndihmon në afrimin mes dy popujve. “Edhe marrëdhëniet tona tregtare janë gjithashtu në rritje. Bashkarisht kemi vendosur objektivin që volumi i shkëmbimeve tregtare të arrijë në 100 miliardë dollarë”, tha Erdogan. Ndër të tjera, Putin vlerësoi se projektet dypalëshe po implementohen dhe çdo gjë po ecën sipas planeve. “Dhe natyrisht, ne po bashkëpunojmë për çështjet e sigurisë rajonale në Siri”, shtoi Putin./abcnews.al