Erdogan në Berlin: Do plotësojmë kriteret për heqjen e vizave

schedule22:23 - 28 Shtator, 2018

schedule 22:23 - 28 Shtator, 2018

Në ditën e dytë të vizitës në Gjermani, presidenti Erdogan ka deklaruar se Turqia do të punojë për të siguruar liberalizimin e vizave nga BE dhe do të plotësojë kriteret për të hapur sërish bisedimet e anëtarësimit. Por kancelarja Merkel i ka bërë thirrje që më parë të ndryshojë qasje ndaj lirisë së shtypit dhe të lirojë gazetarët gjermanë të arrestuar në Turqi.

Turqia synon t’u mundësojë qytetarëve të saj një akses më të lehtë në vendet e Bashkimit Europian. Kështu ka deklaruar gjatë ditës së dytë të vizitës në Berlin presidenti turk Recep Taip Erdogan. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelaren Angela Merkel, Erdogan ka nënvizuar se qeveria e tij do të punojë për të përmbushur kriteret e BE-së për të përfituar liberalizimin e vizave.

“Ne po punojmë për të përmbushur 6 kriteret e mbetura sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që veç liberalizimit të vizave të rihapen negociatat e anëtarësimit, në mënyrë që të përfitojnë si Turqia edhe BE-ja”, ka thënë Erdogan.

Nga ana e saj, Merkel ka deklaruar se gjatë takimit kokë më kokë ka vijuar presionin për lirimin e shtetasve gjermanë të arrestuar në lidhje me grushtin e shtetit të dy viteve më parë.

“Kam bërë presion për këtë çështje dhe do të vazhdoj të bëj në mënyrë që të zgjidhet sa më parë”, ka thënë Merkel.

Sa i takon kërkesës së Turqisë për klasifikimin e lëvizjes Gylen si organizatë terroriste, kancelarja ka nënvizuar se Gjermanisë i duhen më shumë prova për të marrë një vendim të tillë.

“Ne i kemi trajtuar me seriozitet provat e ofruara nga pala turke deri tani, por na duhet më shumë material për ta kategorizuar lëvizjen në të njëjtin nivel me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit”, ka vijuar Merkel. Gruaja e hekurt e Europës nuk ka ngurruar të vërë në dukje se, ajo dhe presidenti Erdogan kanë këndvështrime të ndryshme për një sërë çështjesh, siç është ajo e lirisë së shtypit.

Më herët, gazeta “Bild” raportoi se Erdogan kishte paralajmëruar anulimin e konferencës nëse ajo do të ndiqej nga Kan Dundar, një gazetar turk që u arratis në Gjermani pasi u akuzua për përfshirje në grushtin e shtetit. Por gazetari nuk u paraqit dhe gjithcka vijoi sipas axhendës. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!