Erdogan mbërrin në Berlin: Faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe

schedule22:39 - 27 Shtator, 2018

schedule 22:39 - 27 Shtator, 2018

Presidenti turk Recep Taip Erdogan ka nisur të enjten vizitën treditore në Berlin, objektivi i të cilës është ulja e tensioneve me ata që ai i ka quajtur “miqtë gjermanë”. “Është detyra jonë t’i çojmë marrëdhëniet tona përpara duke u bazuar në interesat e përbashkëta dhe duke u distancuar nga frika iracionale”, ka thënë Erdogan.

Një nga lëvizjet që sipas presidentit turk Gjermania duhet të bëjë për të përmirësuar marrëdhëniet është përcaktimi i grupimit Gylen organizatë terroriste. Gjithashtu, Erdogan ka paralajmëruar për rrezikun që vjen nga rritja e islamofobisë dhe ndikimit të së djathtës ekstreme në Gjermani. Presidenti turk do të qëndrojë në një hotel pranë Portës së Brandenburgut dhe i gjithë qyteti është i blinduar nga forcat e sigurisë.

Duke reaguar në lidhje me vizitën, kancelarja Angela Merkel ka deklaruar se Gjermania është e interesuar për një Turqi me ekonomi të qëndrueshme dhe ka shtuar se do të diskutojë me Erdogan për çështje kritike si të drejtat e njeriut. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë dëmtuar prej vitesh, me Berlinin që është i shqetësuar për tendencat autokratike të Erdogan dhe për arrestimin e 5 shtetasve gjermanë në Turqi, të cilët kanë statusin e të burgosurve politikë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!