Nga Fabio Marco Fabbri, Opinione.it
Vendet e Lindjes së Mesme, përndiqen shpesh nga ideja e “grushtit të shtetit”. Historikisht, ndryshimet “pseudo-demokratike” në këtë rajon nga një qeveri tek tjetra nuk janë të parashikuara. Madje në ato pak raste të rralla që ndodhin karakterizohen nga një destabilitet kronik, sikur këto alternativa qeveritare të kërkonin vazhdimisht një ekuilibër të ri, por gjithmonë me rrezikun e rënies së tyre.
Kështu, çdo mendim i shprehur në kundërshtim me “vijën” e qeverisjes, pavarësisht nëse ajo drejtohet nga një president, diktator, mbret apo emir, konsiderohet një komplot. Kështu ndodhi edhe të shtunën e 3 prillit, kur 104 zyrtarë të lartë turq, përfshirë disa admiralë të dalë në pension, i dërguan një letër kritike qeverisë.
Që të gjithë ata tashmë janë të akuzuar për grusht shteti, për shkak të pikëpamjeve të tyre që janë në kundërshtim me ato të presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Kaq mjaftoi që Erdogan të arrestonte 10 nga këta admiralë në agimin e ditës së hënë më datën 5 prill, pasi u konsideruan komplotistë, vetëm pse kishin shprehur kritika ndaj qeverisë, dhe për këtë arsye cilësohen organizatorë të një komploti “që synonte të kryente një krim kundër sigurisë së shtetit dhe rendit kushtetues”.
Midis të arrestuarve është Admirali Cem Gürdeniz, autori i doktrinës ambicioze të njohur si “Atdheu blu”, që planifikoi mënyrën se si Turqia do të vendosë nën kontroll zonat e mëdha të Mesdheut Lindor.
Sapo u botua në media letra kritike ndaj qeverisë, në Ankara u thirr një mbledhje urgjente e qeverisë, teksa paralelisht nisi një hetim ndaj të gjithë grupit. Siç u përmend më lart, dukuria e “puçit politik”apo fobisë ndaj tij është e përsëritur në Turqi.
Më lejoni t’i përmend shkurtimisht ato:grushtet e shtetit në vitet 1960, 1971, 1980, për të mos përmendur gjysmë grushtin e shtetit të vitit 1997, dhe pretendimin për një përpjekje për grusht shteti të vitit 2016, që shkaktoi 250 të vdekur, dhe i hapi rrugën spastrimeve të pafundme në administratën publike, dhe zhdukjen e asaj pak fryme të vogël shekullariste që kishte mbetur nga “tradita politike” e Erdoganit.
Nën ato rrethana, ushtarët turq filluan për herë të parë që të “prishin radhët” duke denoncuar me guxim veprimet e presidentit. Por cila është çështja e radhës që e shqetëson kaq shumë Erdoganin për “vendin” e tij?
Dy janë në thelb kundërshtitë midis ushtarakëve dhe presidentit. E para është projekti i bajpasit të Bosforit i propozuar nga Erdogan, dhe që parashikon braktisjen e Konventës së Montrosë. Dhe e dyta është denoncimi i bërë nga ushtarakët në pension mbi islamizimin në rritje të ushtrisë turke.
Letra e të “104”-ve, paralajmëron se dalja e Turqisë nga Konventa e Montrosë- e nënshkruar në vitin 1936 – një traktat ndërkombëtar mbi lundrimin, që disiplinon lëvizjet në Ngushticat e Bosforit dhe Dardaneleve midis Mesdheut dhe Detit të Zi, që do të prishte disa ekuilibra ekonomikë dhe diplomatikë në nivelin ndërkombëtar, dhe nuk do të lehtësojë aspak gjendjen aktuale të ekonomisë turke.
Projekti faraonik i Erdogan, i vlerësuar në mbi 25 miliardë euro, i financuar pjesërisht nga Katari, parashikon hapjen e një kanali artificial 45 km të gjatë, të quajtur “Kanali i Stambollit”, që do të lidhte Detin e Zi me Detin Marmara.
Ky projekt shoqërohet me një plan për të ndërtuar një qytet të ri në të dy anët e këtij kanali. Pasi parlamenti turk e miratoi projektin javën e shkuar, kreu i saj Mustafa Sentoptha tha se pasi të hapet kanali Erdogan nuk do të ndihej më i kushtëzuar nga Konventa e Montrosë, dhe për këtë arsye vendi mund të dalë nga ajo.
Ka shumë mbi këtë projekt. Si për shembull nëse ka apo jo kërkesë për një rritje të tonazhit detar në kanal, apo nëse tregu ka vërtet nevojë për të; ose nëse ekonomia e Detit të Zi mund të jetë në gjendje të thithë këto vëllime shtesë.
Një pasiguri tjetër e natyrës ekonomike, është nëse kanali i ri do t’i nënshtrohet të njëjtave rregulla. Sot lundrimi në ngushticën e Bosforit është i rrezikshëm, por kalimi në të është falas dhe nuk i kushton asgjë pronarëve të anijeve, dhe kjo sipas përcaktimeve të Konventës së Montrosë.
Gjithashtu ka dyshime mbi projektet e gazsjellësve që ndodhen në rajon, të cilët mund të pengohen. Për më tepër, ka edhe nga ata që vlerësojnë ndikimin tek ambienti dhe në sektorin e shërbimeve. Projekti parashikon një shpyllëzim të madh, çka do të sjellë prishjen e ekuilibrave ekologjikë, dhe që mund të vërë në rrezik furnizimin me ujë të Stambollit, që pikërisht për shkak të kanalit do të izolohej nga Trakia.
Së fundmi, ushtarakët përmendën në letrën e tyre të hapur edhe rreziqet diplomatike. Konventa e Montrosë garanton kalimin e lirë të anijeve tregtare në Bosfor si dhe Ngushticën e Dardaneleve, si në kohë paqeje edhe lufte.
Por traktati imponon kufizime në kalimin nëpër ngushticat turke të anijeve luftarake, të cilat nuk u përkasin vendeve në kufi me Detin e Zi. Projekti u njoftua 10 vjet më parë, dhe që nga ajo kohë presidenti turk ka marrë disa pozicione të ashpra politike, si në nivelin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.
Qasje të tilla e kanë izoluar atë, duke ia rritur egon e tij. Për Erdoganin, sot ky projekt ndoshta ka një dimension simbolik. Viti 2023 shënon 100-vjetorin e lindjes së Republikëssë Turqisë, në përkujtim të presidentit turk më të ndritur dhe laik, Mustafa Kemal Ataturk. Duket se Erdogan dëshiron të bëjë gjithçka që të dominojë mbi figurën e Ataturk, ndoshta duke e transformuar Stambollin me një projekt të cilin kritikët e cilësojnë si të çmendur dhe të padobishëm.
Nëse përpjekja e tij për të de-laicizuar ushtrinë dhe gjyqësorin, që po rezistojnë ende me vështirësi në vijën e tyre laike të diktuar nga Ataturk do të kishte sukses,Erdogan do ta përfundonte atë punë të shkatërrimit ideologjik të filluar që në mesin e viteve 1990, kur kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Stambollit, shqiptoi fjalinë e famshme:“Demokracia është si një tramvaj, hip në të dhe ai mund të të çojë ku do të dëshirosh, pastaj zbrit prej tij”. Por sot shumë turq shpresojnë se për të ka mbërritur stacioni dhe ai duhet të “zbresë nga tramvaji”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al