Gazetari shqiptar, Gëzim Hilaj ka rrëfyer për një media britanike me një shkrim peripecitë që ai ka kaluar pasi udhëtoi drejt Londrës për të kryer studimet master. Ai rrëfen zhgënjimin që ka pësuar për shkak të jetesës dhe kostove të larta, për të cilën foli edhe në “Virtual Wars” me Jeta Kasemin.
Ai thotë se pavarësisht kësaj, ka pasur mbështetjen e familjes dhe të afërmve të tij që jetojnë atje.
“Vij nga një familje e madhe, normale shqiptare. Prindërit i kam pasur gjithmonë mbështetje. Babain e kam pasur vetë emigrant në Itali por prindërit na kanë sjellë në këtë fazë ku jemi sot dhe asnjë nuk jeton me ta. Çdo kush do të kërkojë të ardhmen e vet. Mendoj që një nga pikat më pozitive që mund të kem pasur se kam pasur mbështetje familjare, të afërm që jetojnë në Londër dhe më kanë mbështetur.”, tha ai.
Megjithatë, ai shton se mesazhi që ka dashur të përcjellë është që Anglia nuk është parajsa që të gjithë mendojnë.
“Është sakrificë personale. Mesazhi im ka qenë përtej personales, kam dashur me e përcjellë edhe audiencës. Emigracioni është temë e fortë këtu. Mendova se një medium anglez është mënyra më e mirë këtë mesazh. Mendova për dikush që do ta marrë këtë rrugëtim, me idenë që në Angli nuk është lehtë“, shtoi gazetari./abcnews.al