Erblini me aftësi ndryshe rrëfen ditët e tij të izolimit: Jam në vështirësi ekonomike

schedule14:47 - 23 Prill, 2020

schedule 14:47 - 23 Prill, 2020

Erblini kishte vite që e kishte fituar betejën me veten për të të mos ju dorëzuar vetmisë dhe për të përqafuar jetën. Por covid-19 e futi pa dëshirë në vetëizolim, brenda mureve që i fshehin atij lirinë. Është 27 vjeç dhe për shkak të një sëmundjeje nuk mundi kurrë ti hidhte vetë hapat e parë. Por Erblini ka ëndrra, ka shpresë dhe shumë forcë për të jetuar jetën.

“Kjo situatë më ka izoluar shumë sepse nuk më jep shumë hapësirë për të dalë, të kaloj një pjesë të kohës me shoqërinë që unë kam. Por edhe kjo pengesa, sjell shumë vështirësi sidomos në nga ana ekonomike e bën shumë të pamundur”, rrëfen Erblini.

Në dekadën e tretë të jetës së tij po përmbyll studimet e mesme si një shpërblim,  njerëzor dhe moral për personin që i ka falur dhe përkushtuar jetën. Nënës së tij.

“Aktualisht jam viti i tretë, para mature. Kam pasur vështirësi në lidhje me shkollimin sepse nuk më kanë dhënë atë aksesin që një person me aftësi ndryshe ka nevojë. Por ja kam arritur me forcat e mia dhe sakrificat e mia që unë ta ndjek këtu ku jam. Motivi im më I fortë është që pasi të mbaroj shkollën, pse jo të kem një vend pune ku të ndërtoj të ardhmen time si çdo njeri tjetër”, thekson ai.

Për Liljanën përballja me sëmundjen e Erblinin nuk ishte goditja më e fortë që mori në jetë. Bashkëshorti e braktisi në fillim të rrugëtimit të saj jetësor, duke ja lënë asaj të gjithë përgjegjësinë e rritjes së djalit të tyre.

“Unë jam 23 vite e divorcuar. Jetoj vetëm me Erblinin. Në vitin 2000 kam ardhur në Tiranë. Peripecitë e mia si nënë, imagjinoje ti me një person me aftësi ndryshe. Kishte momente që mërzitesha, kishte momente që thoja më mirë të mos jem në këtë jetë sepse nuk po bëj asgjë për djalin. Ishte shumë e vështirë. I qaja por jo në sy, kur ai nuk ishte në shtëpi. Qaja veçmas, dilja…si e si që djali të mos mërzitej. Por ishte e pamundur.  Derisa ai ma vuri në dukje dhe më tha që nuk dua të të shoh në këtë gjendje. Më tha do ta përballojmë, do të bëhemi të fortë. Është fëmijë shumë kurajoz dhe të jep kurajo për çdo gjë. Ka raste që ndihem shumë keq. Ka raste që them faleminderit o zot dhe i them vetes pse e çon mendjen në gjënë më të keqe të mundshme. Kjo më ka bërë të jep pro djalit në çdo problem që ai ka dhe për çdo gjë që atij i duhet unë do të jem e gatshme deri në frymën e fundit”, sqaron Liljana.

Forcën dhe dashurinë për jetën Erblini e ka marrë nga nëna e tij, ndaj edhe çdo ëndërr që ai ka në jetë e sheh si mirënjohje ndaj sakrificave të heroinës së tij.

“Unë do ta cilësoja heroinë. Nëse unë jam këtu sot, i dedikohet vetëm asaj merita. Kam kaluar shumë sfida në jetë bashkë me të, por falenderoj zotin që është bashkë me mua dhe lus zotin që ajo të jetë prapë me mua në ato gjëra që unë dua të arrij. Pavarësisht rrethana të jetës që ndodhemi, kam një marrëdhënie shumë të mirë. Ajo më ka ndihmuar si askush tjetër në këtë botë. Ndihem me fat që ajo është pranë meje”, deklaron Erblini.

Prej 5 vitesh nënë e bir jetojnë në një banesë me qera në Kamzë. Ndonëse me ilaçe dhe me mure të cilat i ka mbytur lagështira, Liljana nuk do ta largojë Erblinin nga banesa në të cilën rrotat e karrocës së tij mund të hyjnë pa vështirësi.

“E vetmja gjë që më shqetëson është strehimi. Nëse shteti do të bënte diçka për këtë djalë do të ishte mrekulli”, shprehet Liljana.

“Unë në 2015 kur erdhi z.Erion Veliaj në krye të Bashkisë përfitova një banesë sociale në zonë e ish-uzinës së traktorëve në Shkozë.  Atje pallatet ishin të reja, të mira por problem kryesor ishte tek shkallët. Atje kishte 27 shkallë. Për mua ishte e pamundur që të jetoja aty. Duke ditur që unë do të ndiqja shkollën, ndaj edhe nëse do të ikja atje do të isha totalisht i izoluar. Do kërkoja që bashkia të krijonte një mundësi për gjetjen e një shtëpie që ësthë me ashensor dhe e përshtatshme për mua që unë të lëviz i pavarur vetë. Dhe të mos e kem shumë të rëndë barrën ekonomike për shkak të qerasë”, thotë Erblini.

Me shpresën se një ditë do të mund t’ë jetojnë larg lagështirës dhe pa frikën se të ardhurat do të përfundojnë shpejt, Liljana dhe Erblini rrinë në heshtje, në pritje të një drite shprese se një ditë edhe sakrificat e tyre do të shpërblehen në një shtëpi të ngrohtë./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!