Një 56-vjeçar është gjetur pajetë mbrëmjen e sotme në banesën e tij në lagjen “Skenderbeg” të Lezhës. Viktima është Kujtim Trushi dhe sipas policisë jetonte i vetëm.
Gazetari i ABC në Lezhë Gjergj Figuri mëson se Trushi kishte qenë dy herë i martuar dhe divorcuar. Nga martesa e parë nuk kishte fëmijë, ndërsa nga e dyta i ka jashtë vendit dhe jetonte i vetëm.
Fqinjët kishin disa ditë që nuk e shikonin. Era e rëndë që vinte nga apartamenti në katin e tretë të pallatit i alarmoi duke bërë që të njoftojnë policinë dhe zjarrfikësen, që ndërhyn duke gjetur trupin e pajetë.
Nga kqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera dhe nga të dhënat e para dyshohet se ka ndërruar jetë nga shkaqe natyrale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
/ Abcnews.al